
LSI zyrtarizon regjistrimin e koalicionit të Berishës “Shtëpia e Lirisë”
Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzoi të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për të regjistruar koalicionin “Shtëpia e Lirisë” për zgjedhjet e parakohshme vendore të 6 marsit.
Kërkesa e bërë publike edhe për mediat tregoi se pjesë e koalicionit janë bërë LSI, grupimi i PD-së që mbështet Sali Berishën dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës.
Koalicioni do të ketë si logo një rreth të ndarë me një valëzim, ku poshtë është flamuri i Shqipërisë dhe sipër mbishkrimi me shkronja blu “Shtëpia e Lirisë”. Në një deklaratë për shtyp PD e konsideroi koalicionin simbolikë të korrupsionit.
Zgjedhjet e parakohshme vendore zhvillohen më 6 mars në 6 bashki të vendit, të cilat nuk kanë drejtues lokal.