Louis Vuitton zgjedh Pharrell Williams për dizajnet e meshkujve

Marka luksoze franceze Louis Vuitton ka emëruar producentin,  reperin, këngëtarin dhe kompozitori fitues të Grammy Pharrell Williams si drejtorin e ri kreativ të veshjeve për meshkujt.

Sipas stafit të LV, Williams është një vizionar dhe krijues i cili frymëzohet për veshje nga muzika, arti dhe moda.

Williams është gjithashtu bashkëthemelues i markës së veshjeve të stilit street art – Billionaire Boys Club

Posti i rëndësishëm në Louis Vuitton ishte mbajtur më parë nga stilisti i profilit të lartë Virgil Abloh, i cili ndërroi jetë në vitin 2021.

Koleksioni i parë i Williams për markën e famshme do të shfaqet në Javën e Modës së Meshkujve në muajin qershor, që do të mbahet në Parisin romantik.

“Jam i lumtur të mirëpres Pharrell në shtëpi, pas bashkëpunimeve tona në vitet 2004 dhe 2008 për Louis Vuitton, si Drejtori ynë i ri Kreativ për Meshkujt,” tha në një deklaratë kryetari dhe shefi ekzekutiv i Louis Vuitton, Pietro Beccari i cili shton:

“Vizioni i tij krijues përtej modës do ta çojë padyshim Louis Vuitton drejt një kapitulli të ri dhe shumë emocionues”.

Louis Vuitton është një nga shtëpitë kryesore ndërkombëtare të modës në botë. Është pjesë e grupit të mallrave luksoze LVMH, i cili është në pronësi të personit më të pasur në botë, Bernard Arnault.

Williams ka fituar 13 çmime Grammy dhe ishte ‘gjyqtar’ në konkursin popullor të talenteve televizive The Voice.

Ai mori një nominim për Oscar për këngën Happy, e cila ishte pjesë e kolonës zanore të filmit të animuar Despicable Me 2.

Ai ka bashkëpunuar me gjigantin e veshjeve sportive Adidas dhe markat luksoze Moncler dhe Chanel, dhe ka punuar me stilistin e Louis Vuitton, Marc Jacobs për të dizajnuar syze.

Williams u kritikua vitin e kaluar kur mori pjesë në një sfilatë mode duke mbajtur një palë syze dielli Tiffany të mbushura me diamante.

Përdoruesit e mediave sociale theksuan ngjashmëritë midis dizajnit dhe një palë syzesh që datojnë nga epoka Mughal e Indisë.

Paraardhësi i Williams në Louis Vuitton, Virgil Abloh ishte themeluesi i markës së modës Off-White.

*Tibo News