Louis Vuitton ndryshon drejtuesit, pronari emëron vajzën shefe në Dior

Bernard Arnault, shefi i kompanisë më të çmuar të veshjeve në Evropë, LVMH, ka emëruar vajzën e tij Delphine drejtuese të kompanisë Christian Dior, një ndryshim thelbësor ky i menaxhmentit që forcon më tej kontrollin familjar të korporatës.

Arnault, i cili kohët e fundit kapërceu Elon Muskun si njeriu më i pasur në botë, do ta zhvendosë ish-kreun e Dior, Pietro Beccari, në postin kryesor të Louis Vuitton, duke zëvendësuar kështu shefin e përgjithshëm Michael Burke.

Aksionet e kompanisë u rritën me 2% duke arritur nivele të reja pas lajmeve.

Delphine Arnault ka punuar në Louis Vuitton gjatë dekadës së fundit së bashku me Burke dhe më parë ajo ka punuar 12 vite në Dior.

Kompania tha në një deklaratë se Burke, i cili është drejtuesi më jetëgjatë i kompanive të Bernard Arnault dhe gjithashtu ka qenë shefi i markës së bizhuterive Tiffany, do të vazhdojë të punojë së bashku me sipërmarrësin 73-vjeçar, pa dhënë detaje për rolin e tij të ri.

Një nga drejtuesit më me ndikim të industrisë së modës, Burke, ishte në krye të rritjes më të madhe të Louis Vuitton, marka më e çmuar e luksit në botë, duke luajtur një rol kyç në përcaktimin e prirjeve të modës vitet e fundit.

Ndryshimet e paralajmëruara, të cilat hyjnë në fuqi në muajin shkurt, pasojnë emërimin e fundit të Antoine Arnault, djalit të madh të Bernardit, në krye të kompanisë qendrore LVMH që drejtohet nga familja.

Bernard Arnault nuk ka treguar asnjë shenjë se planifikon të largohet nga kompania, teksa vitin e kaluar rriti moshën maksimale të përcaktuar të shefave nga 75 në 80 vjeç.

Të gjithë fëmijët e Bernardit mbajnë poste drejtuese në kompanitë e ombrellës LVMH.

Alexandre Arnault është përgjegjës për produktet dhe komunikimin në Tiffany, ndërsa Frederic Arnault është shef i TAG Heuer.

Ndërsa djali më i vogël, 24-vjeçari Jean Arnault, drejton marketingun dhe zhvillimin e produkteve për divizionin e orëve të Louis Vuitton.

*Tibo News.