Ligji në SHBA për armët, cilat janë pengesat?

Të shtënat në një shkollë fillore në Uvalde të Texas-it, ku si pasojë ndërruan jetë 19 fëmijë dhe dy të rritur, ka sjellë në vëmendje ligjin e armëve në SHBA dhe thirrjet për disa ndryshime lidhur me kontrollin e armëve. Kaloi gati një dekadë pasi një i ri qëlloi dhe vrau 26 persona, duke përfshirë 20 fëmijë në shkollën fillore Sandy Hook në Newtown të Connecticut dhe tragjedia u përsërit së fundmi. Sulmi në Sandy Hook nxiti thirrje për reformë kombëtare të armëve dhe çoi në një apel emocional për veprim të menjëhershëm nga presidenti i atëhershëm i SHBA-ve Barack Obama. Por përpjekjet për të avancuar legjislacionin për kontrollin e armëve ‘ngeci’… në Kongres. Tashmë presidenti aktual Joe Biden i ka bërë jehonë planit të Obamës[[[ dhe thotë se duhet të ndodhë urgjent një ndryshim. “Pse duhet të jetojmë këtë masakër? Pse vazhdojmë ta lëmë këtë të ndodhë”, deklaroi ai në një reagim pas ngjarjes. Edhe pse demokratët kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit dhe presidencën këtë herë, përpjekjet për të miratuar rregullore të reja për kontrollin e armëve po përballen me sfida të ngjashme, që mund të jenë akoma më të vështira se ato të kaluarat.

-Pengesat që duhen kapërcyer

Një prej arsyeve është “filibusteri” – një procedurë parlamentare që kërkon të paktën 60 vota në Senatin prej 100 vendesh për të miratuar shumicën e legjislacionit. Aktualisht, vetëm një pjesë e vogël nga 50 senatorë republikanë duken të hapur ndaj legjislacionit të ri të armëve, duke sugjeruar se çdo përpjekje e re do të ketë një fat të ngjashëm. Kjo nuk i ka penguar demokratët të shqyrtojnë propozimet e reja dhe të ofrojnë të punojnë me republikanët për të gjetur ndonjë bazë të përbashkët. Deri më tani, oferta e vetme e mbështetur nga republikanët është krijimi i një databaze kombëtare të praktikave të sigurisë në shkolla. Megjithatë, kanë filluar bisedime për të kryer ndryshime dhe po rritet numri i republikanëve që duan të marrin pjesë. Propozimet me mbështetjen më të madhe përfshijnë një ligj të “RED FLAG” që do të parandalonte individët me probleme të shëndetit mendor ose me histori apo të shkuar kriminale që të blejnë e të posedojnë armë.

Megjithëse sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve mbështesin përpjekje të tilla, shumë senatorë republikanë përfaqësojnë shtete me komunitete të mëdha pro armëve. Dhe votuesit republikanë, mbështetja e të cilëve u nevojitet për të fituar zgjedhjet paraprake janë edhe më shumë kundër reformës. Pra, nëse perceptimet apo mendimet nuk ndryshojnë në ato zona elektorale, republikanët nuk kanë gjasa të ndryshojnë kursin. Aktualisht në SHBA ka 393 milionë armë zjarri të cilat blihen nga qytetarët.

-Shtetet që ecin përpara

Megjithëse përpjekjet e kongresit u penguan në vitin 2015, aktivistët e kontrollit të armëve bënë përparim thelbësor në miratimin e ligjeve të reja në nivel shtetëror.

Për shembull, në Konektikat pati një mbështetje për reformën nga komunitetet që ende kërkonin zgjidhje pas brutalitetit që ndodhi në Sandy Hook. Shtetet e tjera të kontrolluara nga demokratët, si New York, Maryland dhe Kaliforni miratuan legjislacionin e tyre, duke mbyllur boshllëqet e ligjit të armëve, duke rritur kufizimet në blerje si dhe duke ndaluar shitjen e llojeve të caktuara të armëve. Në Vermont në vitin 2018, guvernatori republikan Phil Scott ndryshoi pozicionin e tij dhe punoi me demokratët për të miratuar legjislacionin e ri në shtetin tradicionalisht miqësor me amët. Ligji, i cili përfshinte rritjen e moshës për të blerë një armë zjarri në moshën 21 vjeç, zemëroi mbështetësit e mëparshëm të së djathtës. Megjithatë, ai fitoi lehtësisht duke u rizgjedhur në vitin 2018.

Por shtetet që kanë shumicën politike për të miratuar rregulloret e kontrollit të armëve e kanë bërë tashmë këtë. Dhe në shumë shtete të kontrolluara nga republikanët ka patur përparim por jo shumë. Në prill, Xhorxhia u bë shteti i 25-të – i gjithi republikan që lejoi banorët e saj të mbanin një pistoletë, pa licencë qeveritare.

Politikanët demokratë në ato shtete, të frustruar mund të përmendin masakrën e Uvalde si arsye për të vepruar. Ish-kongresmeni Beto O’Rourke, demokrati që kandidon për guvernator të Teksasit në nëntor, shprehu zemërimin që shumë nga e majta ndjejnë në shtetet konservatore ndërsa u përball me guvernatorin republikan Greg Abbott në një konferencë shtypi në Uvalde të mërkurën. “Është tani koha për të ndaluar të shtënat e radhës dhe ju nuk po bëni asgjë”, deklarpi O’Rourke.

-Gjykatat janë një tjetër fushë beteje

Edhe nëse përbërja politike ndryshon në Kongres ose midis shteteve si Texas, që kanë qenë ngurrues ose armiqësore ndaj miratimit të legjislacionit për kontrollin e armëve, ekziston një pengesë e rëndësishme dhe në rritje për çdo përpjekje për reformat dhe këto janë gjykatat.

Në vitin 2008, një shumicë 5 me 4 në Gjykatën e Lartë në SHBA vendosi se Amendamenti i Dytë i Kushtetutës së SHBA, i cili thotë se “e drejta e njerëzve për të mbajtur armë nuk duhet të cenohet”, garanton një të drejtë personale për të zotëruar një pistoletë. Ky interpretim, megjithëse i nënshtrohet një debati të furishëm, ka përfshirë të drejtat e posedimit të armëve në vetë tekstin e Kushtetutës. Dhe që nga ai vendim, gjykatat janë bërë vetëm më mbështetëse.

Një nga trashëgimitë e qëndrueshme të Presidentit Donald Trump ishte emërimi i qindra gjyqtarëve konservatorë në gjykatat federale, duke përfshirë emërimin e tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Dy javë më parë, dy gjyqtarë të gjykatës së apelit të emëruar nga Trump në Kaliforni rrëzuan një ligj shtetëror që ndalonte shitjen e armëve të tipit pushkë për ata nën moshën 21 vjeç.

-Autorët në Uvalde, Sandy Hook dhe të shtënat e fundit në Buffalo, të gjithë i përkasin kësaj kategorie.

“Amerika nuk do të ekzistonte pa heroizmin e të rinjve të rritur që luftuan dhe vdiqën në ushtrinë tonë revolucionare,” shkroi një nga gjyqtarët duke shtuar: “Sot ne ripohojmë se kushtetuta jonë ende mbron të drejtën që mundësoi sakrificën e tyre – të drejtën e të rinjve për të blerë dhe mbajtur armë”.

Gjykata e Lartë duket e gatshme të rrëzojë një ligj të New York-ut që kufizon se kush mund të marrë licenca për armë zjarri në muajin e ardhshëm, ndoshta duke rrezikuar ligje të ngjashme në shtete të tjera. Duke qenë se ligjet e armëve tashmë janë shpallur në libra jo-kushtetues, duke se çdo ligj i ri do të përballet gjithashtu me sfida ligjore, dhe mund të mos “mbijetojë”!

*Artikulli, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tibo News.