Liderët e BE-së ende pa marrëveshje për postet kryesore

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) nuk u pajtuan për emërimin e drejtuesve të rinj të institucioneve evropiane, në takimin e tyre më 17 qershor.

Mungesa e marrëveshjes u konfirmua nga presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Është detyra jonë që deri në fund të qershorit të biem dakord për kandidatët për postet kryesore në BE dhe agjendën strategjike”, tha Michel në fund të darkës së punës së liderëve evropianë.

Liderët u mblodhën mbrëmjen e së hënës në Bruksel, në përpjekjen e parë për të arritur një marrëveshje për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së, Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, dhe emrin e ri në pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Kandidatura e shefes së deritashme të BE-së, Ursula von der Leyen, është e sigurt, por tani liderët e bllokut janë në kërkim të emrave të rinj për pozitat që kanë mbajtur Charles Michel dhe Josep Borrell.

Emrat që kanë shanset më të mëdha për këto poste, sipas informacioneve jozyrtare, është ai i ish-kryeministrit të Portugalisë Antonio Costa, për pozitën e presidentit të Këshillit Evropian dhe ai i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas për pozitën e kryediplomates së BE-së.

Ky ishte takimi i parë i liderëve evropianë, pas zgjedhjeve të mbajtura në vendet anëtare të BE-së, më 6-9 qershor dhe mendohej se do të ishte ndër samitet më të lehta të BE-së.

Krerët e shteteve dhe qeverive duhet të ishin pajtuar në parim për emrat për të cilët tashmë kishte një marrëveshje joformale.

Gjithçka ndryshoi kur liderët e atyre vendeve apo qeverive që vinë nga blloku popullor evropian kërkuan një pjesë në postin e presidentit të Këshillit Evropian.

Pamje nga brenda e Parlamentit Evropian, Strasburg, Francë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Presidenti i Këshillit Evropian zgjidhet nga liderët e BE-së për një periudhë dy vjet e gjysmë dhe mandati mund të rinovohet vetëm një herë

Roli i presidentit të Këshillit Evropian është të kryesojë takimet në nivel të liderëve të BE-së dhe të përmirësojë punën e Këshillit Evropian.

Që kur ekziston institucioni i presidentit të Këshillit Evropian, secili prej tyre ka kaluar dy mandate të plota prej pesë vitesh në krye të institucionit.

Sipas disa burimeve nga takimi, Partia Popullore Evropiane ka kërkuar që mandati i presidentit të Këshillit Evropian të ndahet në dy pjesë nga dy vjet e gjysmë, ku Partia Popullore do të merrte një nga mandatet.

Kjo dukej se ishte pengesa kryesore dhe ishte arsyeja pse drejtuesit nuk u pajtuan.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka rol të dyfishtë.

Zyrtari që mban këtë pozitë është njëri prej nënkryetarëve të Komisionit Evropian dhe ka rolin e kreut të diplomacisë evropiane.

Ky person menaxhon politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Ai gjithashtu punon për të krijuar konsensus midis vendeve anëtare të BE-së dhe prioriteteve të tyre përkatëse, duke përfshirë kryesimin e takimeve midis ministrave të jashtëm të BE-së, ministrave të mbrojtjes, ministrave të tregtisë dhe zhvillimit.

Liderët do të vazhdojnë diskutimet në fund të javës së ardhshme kur do të mbahet samiti i rregullt i BE-së, më 27 dhe 28 qershor./REL