
“Lëvizja Bashkë”, partia që kandidoi për herë të parë dhe rezultoi forcë e tretë
“Lëvizja Bashkë” me në krye Arlind Qorin, është partia që kandidoi për Bashkinë e Tiranës dhe rezultoi “surprizë” e zgjedhjeve si forcë e tretë, duke lënë pas edhe kandidatin e partisë demokratike, Roland Bejkon.
Para se të ishte “Lëvizja Bashkë”, ishte Organizata Politike, me aktivistë që mbështesnin kauzat dhe ‘luftonin’ prej më shumë se 11 vitesh.
Qori e ka parë këtë renditje si forcë e tretë në Tiranë si një rreze shprese në zymtësinë e madhe të politikës në Tiranë dhe është shprehur falenderues ndaj 13835 qytetarëve të Tiranës.
Sot në mesditë kryetari Arlind Qori dhe Sekretarja Organizative e Lëvizjes BASHKË, Mirela Ruko mbajtën konferencën e parë për shtyp pas zgjedhjeve.
“Në këtë zymtësi kaq të madhe mendoj se ka një rreze shprese dhe ata janë të gjithë votuesit tanë që jo vetëm na kanë votuar por na kanë besuar. Të kisha mundësi do u puthja duart, jo thjesht se më votuan por me votën e tyre në një situatë dëshpërimi, këta qytetarë kanë guxuar e kanë pasur shpresë jo vetëm në ditën e votimit por gjithnjë. Dua të përulem para atyre. Pafundësisht kam ripërsëritur mesazhin “Mos na tradhtoni” dhe unë po ju them sot se ne nuk do ju tradhtojmë.
Më parë hidhemi në zjarr sesa të tradhtojmë një akt kaq të madh qytetarie. Dua të falënderoj po aq fort aktivistë të lëvizjes bashkë që bashkë me mua kemi trokitur në dhjetëra mijëra dyer. Ne ja kemi dalë të mbrojmë të gjithë votuesit tanë dhe kemi punuar për secilën votë. Shoqet dhe shokët e mij të lëvizjet bashkë nuk kanë fjetur asnjë minutë, janë akoma duke ndjekur procesin e këshillit bashkiak. Ne në këtë fushatë kemi pasur mbështetjen e shumë qytetarëve, ne na kanë dhuruar edhe para që shkuan për biçikletat tona, fletushka dhe për bileta autobusësh. Dua të falenderoj mbështetësit tanë nga Kosova. Ata kanë parë një rreze shprese në Shqipëri.”- tha Qori.