
Lamtumirë poet, Bardhyl Londo la pas pasurinë e tij letrare
Poetët e duan shumë pranverën, por poeti Bardhyl Londo nuk priti dot. Ai na dha lamtumirën përgjithmonë këtë mëngjes dimri, por duke lënë pas pasurinë e tij letrare prej mijëra vargjesh me poezi dhe dhjetëra libra.
I lindur në Përmet në vitin 1948, ai do të zbulonte herët pasionin për letrat. Pas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Londo do të niste fillimisht të punonte si mësues në qytetin e lindjes, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, pranë redaksisë së gazetës “Drita”.
Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Londo është fitues i çmimit “Migjeni”.
Ikja e tij la trishtim për shkrimtarët dhe miqtë e afërm të poetit, Besnik Mustafajn dhe Zija Çelën.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale shkrimtari Mustafaj shprehu hidhërimin për ndarjen nga jeta të mikut të tij të ngushtë.
“Shqipëria humbi sot Bardhyl London, një nga poetët e saj më të ndershëm e më të fuqishëm, zë i pashterur deri në frymën e fundit. Unë humba një mik shumë të çmuar e të pazëvendësueshëm”, shkruan Musatafaj.
Shkrimtari Çela me anë të një shkrimi në facebook e vlerësoi stilin letrar të Londos si autentik.
“Londo krijoi formë për poezinë e tij, dhe kjo përbën meritë në art. Tërësisht shqiptar në ashtin e vet, në verb dhe ndjesi, ai rrezaton njëkohësisht si një poet i Mesdheut, ku thjeshtësia ka diçka prej qiellit të hapur e të tejdukshëm. Në poezinë hermetike parapëlqehet që meditimi të lihet në syth, ashtu si lulja kur është gonxhe”, shkroi shkrimtari Çela.
Që me botimin e librit të parë me poezi “Krisma dhe trëndafila” më 1975-n, Londo do të spikaste për ndjeshmërinë e vargut. Një ndër poezitë e njohura të tij është “Ura dhe brigjet”.
Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve pikërisht në vitet e ndryshimit të sistemit politik në vend.
Për gati një dekadë pas rënies së komunizmit, ai do t’i mungonte lexuesit, duke u rikthyer në vitin 2010 me librin me poezi “Shën shiu”.
Në vitin 2013 ai befason lexuesin duke ardhur për herë të parë me një libër në gjininë e prozës. Që me titullin “Jeta që na dhanë”, romani duket se paralajmëron një lloj reflektimi të shkrimtarit mbi kohën ku jetoi. Londo ka rrëfyer gjithçka i veshur me lëkurën e një personazhi tjetër, duke lënë dëshminë e tij për kohën.
Shkrimtari Bardhyl Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.