Laboratori rus ku thuhet se mbahet arsenali i bioarmëve të Putinit dhe viruset më vdekjeprurëse

Mund të duket si strofulla e një personazhi të keq nga filmat e James Bond-it. Por në fakt është godina që i përket epokës sovjetike ku gjendet sot arsenali i bioarmëve të presidentit rus Vladimir Putin, sipas Daily Mail. Qendra Shtetërore për Kërkime mbi Virologjinë dhe Bioteknologjinë në Novosibirsk Oblast përmban bioarmë dhe viruse të sëmundjeve shkatërruese si dhe patogjenë vrasës si Ebola.

E hapur gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë në vitin 1974 si një qendër kërkimore për bioterrorizmin, ajo është ende një nga vendet më të mbrojtura të Rusisë, e rrethuar me tela me gjemba dhe me ushtarë të armatosur që qëndrojnë gjithmonë në portat e saj. Qendra prej 70,000 metra katrorësh është afërsisht e njëjtë me një fushë futbolli dhe është një nga 100 ndërtesat kërkimore dhe administrative i njohur në Rusi si ‘Vektor’.

Ai është një nga 59 biolaboratorët e sigurisë maksimale në botë, një status që e ndan me Institutin e Virologjisë Wuhan -vendi nga ku thuhet të ketë shpërthyer pandemia e koronavirusit.

“Vektor” ka lejen për të trajtuar patogjenët më vdekjeprurës në botë dhe punëtorët përgjegjës për studimin e viruseve vishen me kostume mbrojtëse me ngjyrë të gjelbër ushtarake. Objekti i fshehtë i nivelit të katërt është i vendosur në ultësirën e Siberisë jugperëndimore në kufirin me Kazakistanin, një nga vendet më të ashpra dhe më të izoluara në tokë, ku temperaturat mund të bien deri në -35C në dimër.

Rusia pretendon se laboratori, nga ku u prodhuan bioarmë nga BRSS, mbylli kërkimet mbi armët në vitin 1992 pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Zyrtarisht, laboratori tani fokusohet në zhvillimin e vaksinave për viruset vdekjeprurëse. Vitin e kaluar nisi kërkimet mbi viruset parahistorike të gjetura në kuajt paleolitikë të rikuperuar nga ngrica e përhershme në Siberi.

Por një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve vitin e kaluar pretendoi se Rusia ‘mban një program të rrezikshëm të armëve biologjike’ pavarësisht se vendi këmbëngul se kërkime të tilla janë ndërprerë. Vëmendja e kësaj godine vjen pasi ambasadorja e  SHBA-ve në Kombet e Bashkuara pretendoi se Putini mund të përdorë bioarmë për të përmbysur qeverinë ukrainase, duke paralajmëruar se “asgjë nuk është jashtë tryezës” për diktatorin rus.

Vetë Rusia ka akuzuar SHBA-në për zhvillimin e bioarmëve në laboratorët ukrainas si pjesë e justifikimit të saj për luftën, megjithëse këto pretendime janë mohuar nga ekspertët globalë. Ish-zyrtarët amerikanë dhe ekspertë këmbëngulin gjithashtu se laboratorët po punojnë për të zbuluar dhe parandaluar përhapjen e armëve biologjike dhe gjithashtu kanë ndihmuar në frenimin e shpërthimeve të sëmundjeve.

Laboratori u bë kryefjalë e lajmeve në vitin 2019 kur një shpërthim gazi la një punonjës me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë. Shefat u detyruan të mohojnë se zjarri e kishte ekspozuar popullin ndaj patogjenëve të ruajtur brenda.

15 vjet më parë, punonjësja e laboratorit Antonina Presnyakova vdiq pasi aksidentalisht injektoi një gjilpërë që përmbante virusin Ebola. Dhe ish-shefi i saj Profesor Ilya Drozdov u zhduk në vitin 2017 pasi u akuzua për vjedhjen e dy milionë rublave,  atëherë me vlerë rreth 27,000 paund nga brenda godinës.  Profesor Drozdov u vu në listën e të kërkuarve nga Interpoli, dhe ende nuk është gjetur.

Objekti i quajtur gjithashtu Instituti Vektor besohet të jetë një nga vendet ku Rusia mund të ketë vazhduar skemën e bioarmatimeve, e cila u emërua Biopreparat në epokën e Luftës së Ftohtë.

Një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA-së vitin e kaluar deklaroi se Rusia mban një program sulmues të armëve biologjike dhe është në kundërshtim me detyrimin e saj sipas neneve I dhe II të Konventës së Armëve Biologjike. Agjencia Biopreparat e cila udhëhoqi programin e luftës biologjike të vendit  u themelua në vitin 1974, në të njëjtin vit me laboratorin. Punësoi deri në 40,000 punëtorë në pesë institute të fokusuara në ushtri.

Objekti i Vector, i cili tani ka të punësuar rreth një të tretën e numrit të personelit prej 4,500 që kishte në epokën sovjetike, është një nga 59 laboratorët e sigurisë të nivelit të katërt, të vendosura në 23 vende të ndryshme.

Objekti më i madh në botë është Instituti i Virologjisë Wuhan në Kinë. Disa nga punonjësit e Vektor kanë thënë se drejtuesit e Institucionit paguheshin me paga marramendëse, ndërsa vetë ata merrnin paga të ulëta.

Në vitin 2019 laboratori u bë sërish kryefjalë lajmi kur një shpërthim i një cilindri gazi kërcënoi të nxirrte jashtë në natyrë disa nga viruset më vdekjeprurëse. Rusia pretendoi se nuk ka kërcënim pasi ishte thjesht një bombol gazi që shpërtheu në katin e pestë. Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara kanë investuar rreth 7.5 milionë paund në Vektor për të inkurajuar vendin që të braktisë kërkimin e armëve biologjike në favor të zhvillimit të vaksinave.

Laboratori pretendon se tani punon vetëm në kërkimin e vaksinave dhe nuk është më i përfshirë në luftën biologjike. Vitet e fundit Vektor ka qenë i përfshirë në përpjekjet për të gjetur kura dhe antidote për sëmundjet fatale si murtaja bubonike, antraksi, hepatiti B, HIV dhe kanceri.