
Kuvendi mohon akuzat e presidentit Meta
Kuvendi i ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit Ilir Meta për manipulim apo falsifikim dokumentesh në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e tij. Përmes një deklarate për shtyp Kuvendi tha se nuk do ta komentonte çështjen për sa kohë Gjykata është tërhequr për të marrë vendim.
Meta pretendon se Kuvendi i ka paraqitur gjykatës dokumente me rende dhe data të ndryshme nga ato të miratuara dhe për këtë ai i është drejtuar Prokurorisë. Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë për shkarkimin ose jo të Presidentit ditët e ardhshme.
Trupa gjykuese ka kohë deri javën e parë të muajit mars për ta shpallur vendimin. Më 9 qershor 2021 Meta u shkarkua nga parlamenti me 104 vota “pro” për shkelje të Kushtetutës me deklaratat për dhunë gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit.