Kushtetuesja dëgjon palët për ligjin për mjekët

Gjykata Kushtetuese ka dëgjuar pretendimet e palëve në lidhje me ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”. Ky ligj detyron studentët e mjekësisë të punojnë nga 3 deri në 5 vite në Shqipëri, më pas të marrin diplomën.

Trupa gjykuese u ka lënë afat palëve që brenda datës 8 janar të dorëzojnë përgjigje për pyetjet që u janë bërë në lidhje me këtë ligj dhe brenda 30 ditëve do të përcaktohet një vendim final për ligjin.

Studentët kërkojnë shfuqizimin e nenit 4 që përcakton bllokimin e diplomës deri në plotësimin e viteve të punës që përcakton ministria e Shëndetësisë, si dhe anulimin e nenit 5 ku përcaktohet se ata studentë që nuk do pranojnë të punojnë deri në 5 vite punë ku ka nevojë shteti, do të duhet të paguajnë tarifën reale të kostove të studimit, e cila është përllogaritur të jetë 248,975 Lekë në vit.

Në nëntor, Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin për studentët e Mjekësisë deri sa të merret vendimi final nëse ligji do të mbetet në fuqi apo do të rrëzohet. Deri në momentin që ligji është i pezulluar, studentëve nuk do tu kërkohet pagesa e tarifës së shkollimit, ose do veprohet me ligjin e vjetër, ku pagesa është 45 mijë lekë në vit.