Kush janë të famshmit e TikTok në Shqipëri që do marrin para nga qeveria britanike

Qeveria britanike tashmë do i drejtohet yjeve të Tiktok për të ndihmuar në zvogëlimin e numrit të mbërritjeve të emigrantëve me varka të vogla apo gomone. Ata do paguajnë të njohurit e TikTok të disa vendeve, prej nga ku udhëtojnë më shumë emigrantë, me shumën 5,000 paund, që të publikojnë video dhe të bindin ndjekësit e tyre që të mos marrin rrugën e rrezikshme dhe të paligjshme dhe të mos shkojnë në Britani.

Influencerët e TikTok në Shqipëri, Irak, Egjipt dhe Iran mund të kontaktohen nga Home Office për të ndihmuar me planin e tyre. Shpresohet se videot e Tiktok do të synojnë me sukses grupet më të vështira për t’u arritur, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj trafikantëve të qenieve njerëzore.

Qeveria ka vendosur 100,000 paund për projektin dhe është pjesë e një fushate reklamuese prej 1 milion paund.

Influencerët do të paguhen për t’i thënë audiencës së tyre se emigrantët përballen me dëbimin në Ruandë ose nuk do të jenë në gjendje të punojnë.

Kompania private Multicultural Marketing Consultancy është punësuar nga Home Office për të gjetur yjet e Tiktok që ata mendojnë se janë të përshtatshëm.

Një reper shqiptar, i njohur si ‘Omg Dioh’, është përzgjedhur si kandidat i përshtatshëm sepse ‘përdor platformën për të ndikuar dhe edukuar të rinjtë që të punojnë shumë dhe të ndjekin pasionet e tyre’.

Është afruar edhe aktori i humorit Roxhi Dibran, i cili numëron 150 mijë ndjekës.

Një zëdhënës i Home Office tha: “Kontrabandistët e njerëzve përdorin shpesh mediat sociale për të shpërndarë gënjeshtra dhe për të promovuar aktivitetet e tyre kriminale dhe është jetike që ne të përdorim të njëjtat platforma për të informuar emigrantët për të vërtetat rreth kalimit dhe ardhjes ilegalisht në Britani.

“Ne nuk kërkojmë falje për përdorimin e çdo mjeti të nevojshëm për të ndaluar anijet dhe për të shpëtuar jetë.”

Plani vjen pasi kryeministri Sunak përballet me presion në rritje për të siguruar fillimin e fluturimeve të dëbimit në Ruanda. Muajin e kaluar pesë persona humbën jetën në ujërat franceze pasi një varkë që transportonte dhjetëra emigrantë në Britani u përmbys.

Grupet e të drejtave të refugjatëve theksojnë se, për shumë njerëz që bëjnë udhëtimin e rrezikshëm dhe ndonjëherë fatal, nuk kanë shumë zgjedhje.

Rrugët e ashtuquajtura të sigurta ‘legale’ janë të pakta për ata që ikin nga uria, varfëria dhe lufta, thonë grupe të tilla si Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit.

Të dhënat nga Projekti i Organizatës Ndërkombëtare për Migrantët e Humbur sugjerojnë se më shumë se 200 njerëz kanë vdekur në det ndërsa përpiqeshin të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2014.