Kush janë 2 shqiptarët që humbën jetën pas aksidentit të frikshëm në Itali

Dy të rinj shqiptarë humbën jetën tragjikisht pas një aksidenti në Itali. Mediat italiane kanë treguar se viktimat janë Marian Kola, 23 vjeç nga Lezha dhe Blerim Miha, 27 vjeç. Ndërsa një shqiptar i tretë u plagos, i moshës 28-vjeç i cili nuk është identifikuar ende.  Djemtë banonin në periferinë jugore të Romës dhe ishin të njohur për policinë për krime kundër pronës.

Mediat italiane shkruajnë se tre shqiptarët po udhëtonin me makinë tip BMW seria 4.

Ata po lëviznin nga Frosinone në drejtim të Casilina-s me shpejtësi marramendëse, deri në 200 kilometra në orë.

Dyshohet se gjatë një rrethrrotullimi të madh, makina ka prekur bordurën e anës së majtë. Për shkak edhe të shpejtësisë së lartë kjo ka bërë që mjeti të ngrihet në ajër dhe të fluturojë për 50 metra derisa ka rënë.

Pas përplasjes, makina ka marrë flakë në pjesën e përparme dhe ka djegur pjesërisht kabinën e pasagjerëve ku ndodheshin edhe dy trupat e pajetë.

Shqiptarët ishin të tre pa dokumente identifikuese. U desh marrja e shenjave të gishtërinjve që të mësohej identiteti i tyre.

Gjithashtu, nga kontrollet është mësuar se targat e makinës ishin të vjedhura. Edhe BMW ishte e  vjedhur.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të jetë përdorur për krime.

Në bagazh policia gjeti mjete që shërbejnë për vjedhje.