Kush është Ghanim Al Muftah, që i kuriozoi të gjithë në nisjen e Botërorit

Për shumë njerëz në Gjirin Persik, folësi motivues Ghanim Al Muftah është një fytyrë e njohur.

Por aktivisti me aftësi të kufizuara i cili ka shumë ndjekës në mediat sociale, ishte një nga personazhet që u shfaq pranë aktorit të njohur Morgan Freeman në ceremoninë e hapjës së Kupës së Botës në Qatar 2022. Ceremonia në stadiumin në Doha u ndoq nga miliona njerëz në të gjithë botën dhe Al Muftah, 22 vjeç ishte ai që tërhoqi vëmendjen, me shumë njerëz duke pyetur në rrjetet sociale për të.

Al Muftah nga Katari recitoi një varg nga Kurani dhe bisedoi me aktorin teksa përcillte mesazhe me temë unitetin dhe tolerancën.

“Ne e dërguam thirrjen, sepse të gjithë janë të mirëpritur. Kjo është një ftesë për të gjithë botën,” tha Al Muftah, i cili u shfaq duke ecur në skenë me duart e tij, për shkak të aftësisë së kufizuar me të cilën ka lindur.

“Ne jemi rritur të besojmë se jemi shpërndarë në këtë tokë si kombe dhe fise, në mënyrë që të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të gjejmë bukurinë në dallimet tona. Me tolerancë dhe respekt, ne mund të jetojmë së bashku nën një shtëpi të madhe,” tha mes të tjerash Al Muftah.

Al Muftah ka lindur në Katar me një gjendje të rrallë të njohur si sindroma e regresionit, një çrregullim kongjenital në të cilin zhvillimi fetal i pjesës së poshtme të trupit është jonormal.

Kryesisht duke përdorur duart e tij për të lëvizur, ai ka dokumentuar sfidat e tij të vazhdueshme mjekësore, duke i kthyer ato në një udhëtim frymëzues dhe përfundimisht duke u bërë një folës motivues.

Aktualisht ai ndjek studimet në universitet për shkenca politike. Al Muftah shpreson të bëhet diplomat një ditë. Ai është gjithashtu një yll i mediave sociale, me më shumë se shtatë milionë ndjekës në TikTok, më shumë se 3.3 milionë në Instagram dhe afër një milion abonentë në YouTube.

Atij gjithashtu i pëlqen të marrë pjesë në sporte ekstreme si zhytja në skuba, skateboarding dhe ngjitje shkëmbi, dhe shpreson të bëhet paraolimpian një ditë.

Në muajin prill, Al Muftah u emërua ambasador i Kupës së Botës FIFA 2022.

Ceremonia 30-minutëshe e së dielës për Kupën e Botës kishte për qëllim të prezantonte Katarin në botë përmes kulturës së tij dhe me temën e “kalimit të distancave”.

Drejtori kreativ Ahmad Al Baker tha për Associated Press se donte që ceremonia të nënkuptonte “një tubim për të gjithë njerëzimin, një ftesë për t’u bashkuar, duke kapërcyer të gjitha dallimet me njerëzimin, respektin dhe përfshirjen”.

 

*Tibo News