
Kur nisi dhe si zhvillohet Festivali i Filmit në Kanë
Festivali i Filmit në Kanë u mbajt për herë të parë më 20 shtator të vitit 1946. Më pas u kthye në një event të përvitshëm me synimin për të rivalizuar Festivalin e Filmit në Venecia.
Kana tërhoqi menjëherë prestigj, kjo falë pjesëmarrjes të yjeve të shumta të kinematografisë nga e gjithë bota, gjë që vijoi të ngrinte vëmendjen e mediave.
Suksesi nxiti nisjen e ndërtimit të një pallati të ri festivalesh në vitin 1979. I vendosur në bulevardin “La Croisette” kjo godinë e mbiquajtur “Bunkeri” u hap zyrtarisht në vitin 1982 dhe 17 vite më vonë u zgjerua më tej për më shumë kapacitete.
Pallati i Festivalit është zemra e Kanës, pasi për 12 ditë mban aktivitete të shumta, ku sigurisht tapeti i kuq me 24 shkallët në hyrje është ai që tërheq më së tepërmi vëmendjen.
Në brendësi pallati ka një auditor me 2,300 vende, ku yjet e kinematografisë zënë vend kryesisht në fillim. Me evente gala pothuajse dy herë në ditë, Pallati i Festivalit të Kanës ka një kod strikt të veshjes.
Në këtë festival regjisorëve dhe kineastëve u jepet çmimi prestigjioz i “Palmës së Artë”.
Në sallat e tjera gjatë Festivalit shfaqen qindra filma, organizohen mini-panaire dhe takime mes mijëra kineastësh dhe artistësh të tjerë duke u dhënë mundësi pjesëmarrësve për lidhje kontaktesh, por dhe shitje projektesh filmike.
Për dashamirësit e filmave që nuk kanë qasje në “Bunker”, filmat shfaqen në mbrëmje buzë plazhit.
*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP.