
Kupa e Eurovision-it në ankand, për të ndihmuar ushtrinë ukrainase
Ukraina u shpall fituese e “Eurovision Song Contest 2022”, me 631 vota, me këngën “Stefania” nga grupi Kalush Orchestra, duke lënë në vend të dytë Britaninë e Madhe.
Menjëherë pas fitores, djemtë e grupit deklaruan se do të ktheheshin në atdhe për të luftuar dhe së fundmi kanë bërë dhe një gjest tjetër human për vendin e tyre.
Ata kanë nxjerrë në ankand trofeun e Evrovizionit, duke thënë se të ardhurat që do mblidhen nga shitja e tij do të shkojnë për bamirësi.
Grupi do t’i dhurojë të ardhurat për një fond bamirësie që ndihmon ushtrinë ukrainase dhe Ukrainën, e cila është nën pushtimin rus.
Lideri i grupit, reperi Oleh Psiuk tha:
“Ne kemi planifikuar të nxjerrim kupën tonë në ankand dhe t’i dhurojmë të gjitha paratë për një fond bamirësie që ndihmon Forcat e Armatosura dhe Ukrainën. Shikoni, shumë njerëz tashmë po dhurojnë nga jashtë dhe ndoshta shumë të tjerë do të dëshironin për të dhuruar. Dhe kjo, sipas mendimit tonë, do të jetë gjëja që i motivon ata. Mendojmë se do të jetë e dobishme për Ukrainën.”