
Kryeministrja e Moldavisë, Natalia Gavrilita jep dorëheqjen
Kryeministrja e Moldavisë Natalia Gavrilita ka dhënë dorëheqje pas një viti e gjysmë në mandatin e qeverisë së saj, gjë që ka shkaktuar automatikisht dorëheqjen e të gjithë kabinetit qeverisës.
Dorëheqja e saj vjen pasi vendi, një nga më të varfërit e Evropës, përballet me një krizë energjetike, ekonomike dhe sigurie të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës fqinje.
Menjëherë pas vendimit, presidentja e vendit, Maia Sandu, deklaroi se do të zhvillojë konsultime me partitë parlamentare dhe më pas do të propozojë një kandidat për postin e kryeministrit.
Pasi ta bëjë këtë, kandidati i ri i ka 14 ditë për t’i propozuar pralamentit formimin e një qeverie të re.
Qeveria e Gavrilițas u thirr “qeveri e krizave” që në fillim, pasi u përball me një rritje dramatike të çmimeve të gazit rus që në tetor të vitit 2021, por edhe me pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt 2022.
“Qeveria e saj arriti suksese të paplanifikuara, duke arritur ta mbajë Republikën e Moldavisë në këmbë pavarësisht krizave të paprecedentë, dhe ta afrojë atë me Bashkimin Evropian, por, në çështjet e planifikuara, sukseset janë më të vogla dhe të pasigurta”, komentoi analisti Nicolae Negru.
Më 3 mars 2022, Natalia Gavrilița, së bashku me presidenten Sandu dhe kryeparlamentarin Igor Grosu, nënshkruan aplikimin për anëtarësimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian.