Kryeministri Rama fton investitorët e huaj: Borxhi publik me rënie historike

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po zhvillon në Londër Samitin e Ballkanit Perëndimor ku kryeministri i vendit Edi Rama mori pjesë, online. Rama tha se më parë investitorët e cilësonin Shqipërinë si një vend të rrezikshëm dhe të pavizitueshëm nga turistët.

Por duke iu referuar shifrave të fundit, ku vjet u regjistruan 10 milionë turistë, më shumë se vende të tjera të rajonit, Rama tha se këto shtete janë të detyruara të bashkëpunojnë pasi së bashku janë një treg i vogël për investitorë të mëdhenj.

Rama përmendi faktin se para se te vinte në pushtet, sistemi energjetik i Shqipërisë ishte gati duke u shkatërruar, për shkak se shumica e popullatës nuk paguante faturat. Ai shtoi se çmimi i energjisë nuk ka ndryshuar.  Ndërkaq, ndalur tek borxhi publik, kreu i qeverisë deklaroi se është shënuar një rënie historike nën 60% në fund të vitit të kaluar.

I pranishëm, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se integrimi rajonal do përshpejtojë integrimin e shteteve ballkanike në tregun e BE-së. Të njëjtin mesazh e tregoi online edhe komisioneri Oliver Varhelyi. Ai tha se puna më e rëndësishme nuk bëhet as në Bruksel, as në Londër, por në secilin vend të Ballkanit Perëndimor individualisht.

Banka Europiane është një nga investitorët më të mëdhenj institucional në rajon, duke investuar më shumë se 18 milard euro me projekte rajonale si dhe ndërkufitare.

Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it me shtetet e këtij rajoni.

Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor ndodhi dhjetë vite më parë, në muajin Shkurt 2014.