
Kroacia kritikon NATO-n pas rrëzimit të dronit rus në Zagreb
Zyrtarët kroatë kritikuan NATO-n të shtunën për atë që ata thanë se ishte reagimi i saj i ngadaltë ndaj një droni ushtarak që me sa duket fluturoi gjatë gjithë rrugës nga zona e luftës e Ukrainës mbi disa vende anëtare të NATO-s, përpara se të rrëzohej në një zonë urbane të kryeqytetit kroat.
Mjeti pa pilot i prodhimit rus kaloi Rumaninë dhe Hungarinë përpara se të hynte në Kroaci dhe të përplasej në një fushë pranë një konvikti studentor. Rreth 40 makina të parkuara u dëmtuan, por askush nuk u lëndua pas shpërthimit të fuqishëm.
NATO tha se mbrojtja e integruar ajrore dhe raketore e aleancës kishte gjurmuar rrugën e fluturimit të objektit. Por kryeministri kroat tha se autoritetet e vendit nuk ishin të informuar dhe se NATO reagoi vetëm pas pyetjeve të bëra nga gazetarët.
“Ne nuk mund ta tolerojmë këtë situatë dhe as nuk duhet të kishte ndodhur ndonjëherë,” tha kryeministri Andrej Plenkoviç teksa vizitoi vendin e rrëzimit.
“Ky ishte një kërcënim i pastër dhe i qartë dhe NATO dhe BE duhet të kishin reaguar,” tha ai. “Ne do të punojmë për të rritur gatishmërinë.”
Plenkoviç tha se një dron zbulues i epokës sovjetike Tu-141 “Strizh” fluturoi për mbi 40 minuta mbi Hungari dhe gjashtë deri në shtatë minuta mbi Kroaci përpara se të rrëzohej. Më parë, autoritetet rumune të mbrojtjes thanë se objekti fluturues ishte në hapësirën ajrore të Rumanisë vetëm për tre minuta pas kalimit nga Ukraina, duke e bërë të vështirë përgjimin.
Plenkoviç u bëri thirrje autoriteteve hungareze që të nisin një hetim përse mbrojtja e saj me sa duket nuk e vunë re dronin pa pilot pasi si Kroacia ashtu edhe Rumania kishin pak kohë për të reaguar ndaj objektit që lëvizte me shpejtësi.
“Kjo mund të kishte rënë në termocentralin bërthamor në Hungari. Është e qartë se nuk pati asnjë reagim të mirë dhe vendet e tjera nuk reaguan mirë. Tani kemi një test nga i cili duhet të mësojmë dhe të reagojmë shumë më mirë”, tha ai.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë mohuar se kanë lëshuar dronin.
Ekspertët ushtarakë thonë se Ukraina është operatori i vetëm aktual i njohur i Tu-141, i cili ka një hapje krahësh gati 4 metra dhe peshon mbi 6 tonë.