AlbanianEnglish

Kriza në Ukrainë, shpjegim i pretendimeve të Rusisë dhe çfarë pritet të ndodhë

Për muaj të tërë, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin mohoi të kishte planifikuar sulme ndaj Ukrainës, por më 21 shkurt ai prishi marrëveshjet e mëparshme për ndërmjetësimin e një zgjidhjeje dhe deklaroi njohjen e pavarësisë së dy rajoneve lindore të Ukrainës, të cilat kontrollohen nga separatistë rusë.

Rusia ka mobilizuar të paktën 150,000 trupa afër kufijve të Ukrainës dhe ka deklaruar se do të mbrojë statusin e dy rajoneve lindore në Ukrainë. Ajo që mund të ndodhë më pas mund të vërë në rrezik sigurinë e gjithë Evropës.

Por le të analizojmë hap pas hapi të gjithë kontekstin e kësaj çështjeje.

Pse Rusia e pretendon Ukrainën?

Rusia i ka kundërshtuar prej kohësh anëtarësimin e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Presidenti Putin deklaroi më 21 shkurt se “Ukraina është një kukull e Perëndimit” dhe se “nuk ka qenë kurrë një shtet i mirëfilltë”.

Ndër kërkesat kryesore të Rusisë janë që Perëndimi të garantojë se Ukraina nuk do t’i bashkohet kurrë NATO-s, se NATO nuk do të vendosë kurrë pranë Rusisë baza raketash me rreze që përfshijnë Federatën.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në vitin 1994 Rusia nënshkroi një marrëveshje për të respektuar pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës së pavarur. Por më 21 shkurt 2022 Putin deklaroi se Ukraina moderne është një etnitet i krijuar nga komunistët rusë dhe se në të vërtetë ajo është pjesë përbërëse e kombit rus.

Ukraina ndan kufij si me BE-në ashtu edhe me Rusinë. Si një ish-republikë sovjetike, ajo ka lidhje të thella sociale dhe kulturore me Rusinë dhe rusishtja flitet gjerësisht atje. Por që kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe nxiti një konflikt civil në pjesën tjetër të lindjes, këto marrëdhënie janë prishur.

Rusia trazoi lindjen e Ukrainës me ndihma ushtarake kur presidenti pro-rus, Viktor Yanukovych, zhbëri Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në dhe si rrjedhojë e protestave masive në Kiev u rrëzua nga pushteti në fillim të vitit 2014. Prej atëherë konflikti në lindje i ka marrë jetën më shumë se 14,000 personave.

Pse është e rrezikshme njohja e zonave rebele?

Deri më tani të ashtuquajturat Republikat Popullore të Donetskut dhe Luhanskut janë udhëhequr nga përfaqësues rusë. Atje jetojnë rreth 3 milionë njerëz, ku shumica deklarohen të etnisë ruse.

Sipas dekretit të Putinit, firmosur më 21 shkurt, Rusia ua njeh pavarësinë dhe zotohet t’u dalë zot për ruajtjen e paqes. Ndërkohë ajo mund të ndërtojë baza ushtarake.

Duke angazhuar trupa brenda territorit të Ukrainës, Rusia shkel ligjet ndërkombëtare të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të shteteve si dhe marrëveshjet e mëparshme të armëpushimit.

Dy marrëveshjet e paqes të nënshkruara në Minsk të Bjellorusisë mes viteve 2014-15 synonin t’i jepnin fund konfliktit duke u dhënë dy rajoneve status të veçantë por brenda tërësisë territoriale të Ukrainës.

Marrëveshjet nuk u përmbushën kurrë, por negociatat ishin ende duke vazhduar, me Francën dhe Gjermaninë plotësisht të përkushtuara ndaj tyre. Ato tani duken totalisht të pa-arritshme.

Rusia ka ngritur pretendimet për gjenocid ndaj etnisë ruse në Ukrainë, ndërkohë që prej vitit 2015 ka shpërndarë të paktën 700 mijë pasaporta ruse për separatistët e lindjes. Me këtë pretendim ajo justifikon çdo përfshirje.

Sa larg do të shkojë Rusia?

Vëmendja ndërkombëtare është te pjesa lindore e Ukrainës ku Rusia tashmë ka deklaruar mobilizimin e ushtrisë, por SHBA dhe disa vende të Perëndimit janë shprehur skeptike për synimet e Rusisë. Putin nuk kërkon të vijojë më tej drejt Kievit, apo perëndimit të Ukrainës.

Sidoqoftë rreziku për një konflikt më të përshkallëzuar mbetet i mundshëm. Moska këmbëngul se “nuk ka pushtim rus”, por ajo ka mobilizuar deri tani dhjetëra mijëra ushtarë në zona si Krimea dhe Bjellorusia duke qenë totalisht në kontroll të kufijve lindorë të Ukrainës.

Nëse Rusia do të kalojë në një pushtim të plotë të Ukrainës, pas zotërimit të pjesës lindore, ajo do të përpiqet të rrëzojë qeverinë demokratike të Kievit. Por Ukraina gjatë 7 viteve të fundit ka organizuar stërvitje masive të qytetarëve dhe ka shtuar ndjeshëm armatimet. Kështu Rusia mund të përballet me një popullatë të armatosur dhe konflikt shumë më armiqësor në perëndim.

Në anën tjetër Rusia ka opsione të tjera, të vendosë një zonë ndalim-fluturimi ose një bllokadë të porteve të Ukrainës, apo t’i transferojë Bjellorusisë së Presidentit pro-rus Aleksandër Lukashenko armë bërthamore, të cilat mund t’i shtojnë kërcënimet Ukrainës.

Po kështu Rusia mund të nisë një valë sulmesh kibernetike, të cilat mund të kenë si objektiv jo vetëm Ukrainën por edhe vendet aleate të NATO-s.

Sa larg do të shkojë Perëndimi në Ukrainë?

Perëndimi e ka bërë të qartë se nuk ka plane për të dërguar trupa luftarake për konflikt të drejtpërdrejtë në Ukrainë, kështu që përgjigja kryesore e SHBA-së dhe aleatëve të saj do të jenë sanksionet.

Kryesisht do të ketë bllokadë të investitorëve rusë nga vendet e Perëndimit, ndërsa Gjermania ka deklaruar menjëherë tërheqjen nga projekti madhor i gazsjellësit “Nord Stream 2”. Paralelisht po mendohet shkëputja e sistemit bankar rus nga ai ndërkombëtar i pagesave Swift.

Vendet e NATO-s i kanë ofruar Ukrainës mbështetje të tjera, në formën e logjistikës ushtarake, armëve dhe spitaleve të lëvizshme. Ndërkohë, mijëra trupa janë dislokuar në shtetet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari, Hungari dhe Sllovaki. Pjesë e logjistikës ushtarake të vendosura në dispozicion është edhe baza ajrore e Kuçovës në Shqipëri.

NATO, e cila prej vitit 1997 është zgjeruar dhe tashmë ka në përbërje 30 shtete, ka një politikë të hapur për anëtarësimet. Këtë politikë anëtarësimi nuk ia ka mohuar asnjëherë Ukrainës. Prej vitit 1997 NATO-s i janë bashkuar 14 shtete të Europës Lindore, mes të cilave ish-republikat sovjetike Estonia, Letonia dhe Lituania.

Në këtë pikë nëse ka një mundësi për zgjidhje diplomatike ajo është takimi Putin-Biden dhe diskutimi i një marrëveshjeje për tërheqjen e NATO-s nga kufiri me Rusinë dhe nga ana tjetër vendosja e një dakordësie që asnjë shtet të mos i zhvendosë armatimet bërthamore të saj në një shtet tjetër.

You don't have permission to register