Krisen marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Mitsotakis ‘kërcënon’ me integrimin në BE

Fredi Beleri, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë në Himarë është arrestuar, pasi akuzohet për shitblerje votash. Por arrestimi i tij duket se do të ndikojë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Këtë e ka konfirmuar vetë kryeministri grek Mitsotakis i cili e quan të pabazë arrestimin e Belerit dhe thotë se arrestimi i tij në kohë zgjedhjesh do të ndikojë në marrëdhënien dypalëshe dhe në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Pjesë nga deklarata e Mitsotakis:

“Nuk do të pranoj një sjellje të tillë në kurriz të grekëve. Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme ajo që ndodhi me Fredi Belerin. Shkova në Himarë, isha kryeministri i parë që vizitova rajonin dhe u zotova se Greqia do të mbetet gjithmonë ndihmëse e pakicës etnike greke. Këtë ia kam bërë të qartë kryeministrit shqiptar. Shqipëria ta dijë shumë mirë se nëse një politikë e tillë do të vazhdojë, do të ndikojë si në marrëdhëniet tona dypalëshe, ashtu edhe në rrugën e saj drejt BE-së. Unë nuk do të pranoj qëndrime të tilla në kurriz të pakicës, sidomos 48 orë para zgjedhjeve. Do të ketë efekte të rëndësishme në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe në rrugën e saj drejt BE-së, të cilën ne kishim deklaruar se do ta mbështesim”.