Kreu i SPAK: Kemi zbuluar 70 efektivë policie të inkriminuar në 3 vite

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka deklaruar se bashkëpunimi mes policëve dhe krimit, të zbardhur nga hetimet është ulëritës për nga numri i të përfshirëve. Ai tha se në 3 vite, SPAK rezulton të ketë hetuar 70 efektivë policie, që nuk janë kapur vetëm në afera korruptive, por në bashkëpunim me të thellë me grupet kriminale.

Altin Dumani:

“Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunues me krimin e organizuar në krimet që krimi i organizuar kryen. Ish-drejtori i Forcës Operacionale, disa shefa komisariatesh, shefa krimesh dhe nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që kemi bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit”.

Në Komisionin e Ligjeve dhe të Sigurisë ku raportoi për punën e institucionit që ai drejton për vitin që lamë pas nëse në komunikimet e Sky dalin emra politikanësh, i pyetur nga deputetët Altin Dumani tha:

“Nuk mund të prononcohem, kemi çështje në hetim, ju garantoj juve që në çdo rast do evidentohen raste të tilla, ne do të ushtrojmë ndjekjen penale sepse është detyrim ligjor, nuk është çështje zgjedhjeje”.

Kreu i SPAK tha se përballë politikës janë të shurdhër.

“Jemi të shurdhër nga çdo lloj retorike politike. Orientohemi dhe jemi përgjegjës vetëm përballë ligjit”.

Altin Dumani siguroi deputetët që çdo emër që do dalë nga hetimet, SPAK do veprojë.

Teksa prezantoi punën e SPAK në 2023 ai tha se kanë vënë nën hetim 12 zyrtarë të lartë, kanë sekuestruar 41 milionë Euro pasuri. Dumani evidentoi 9 qytete me kriminalitetin më të lartë në vend.