Kostoja njerëzore e valës së të nxehtit në Evropë

Teksa Evropa përpëlitet mes një vale të egër të të nxehtit, kostoja njerëzore po rritet. Kushtet ekstreme po shkaktojnë mijëra vdekje të lidhura me nxehtësinë.

Zjarret po detyrojnë shumë të tjerë të largohen pasi flakët kërcënojnë të përfshijnë shtëpitë e tyre.

Hans Kluge, shefi rajonal i Evropës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e quajti valën e të nxehtit “të pashembullt, të frikshme dhe apokaliptike” të premten.

Është “kriza gjithëpërfshirëse e kohës sonë që po kërcënon si shëndetin individual, ashtu edhe vetë ekzistencën e njerëzimit”, shtoi ai.

 

Cilat vende evropiane janë prekur nga vala e të nxehtit?

Temperaturat ekstreme kanë pjekur prej javësh vendet e Evropës Jugore. Në veri të Italisë, lumenjtë po thahen dhe të korrat bujqësore janë shkatërruar nga mungesa e ujit.

Zjarret në Spanjë kanë shkatërruar vreshtat, ndërsa në Francë 14,900 njerëz u detyruan të evakuohen nga qytetet të hënën e kaluar.

Disa rekorde të nxehtësisë u thyen gjithashtu në Francë javën e kaluar me një temperaturë maksimale prej 42 gradë Celsius të regjistruar në Nante dhe 42.6 gradë Celsius në Biscarosse në jug-perëndim.

Nxehtësia është zhvendosur edhe më tej në veri me Mbretërinë e Bashkuar që ka arritur temperaturën e saj më të lartë ndonjëherë në historinë e fundit. Një temperaturë maksimale prej 40.2 gradë Celsius u regjistrua në Heathrow në Londër të martën e kaluar. Uellsi raportoi temperaturën e tij më të nxehtë në rekord të hënën e kaluar prej 37.1 gradë Celcius.

Njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre ndërsa zjarret e egra përfshijnë Evropën në valë të paprecedentë të të nxehtit

 

Si po përshtaten qytetet evropiane ndaj valëve më të egra të të nxehtit?

Temperaturat arritën në 35.4 gradë Celsius në jugperëndim të Holandës të hënën e kaluar duke e bërë atë ditën më të nxehtë të vitit deri më tani.

Ndërsa vapa në Evropë rritet, zjarret janë raportuar edhe në veri deri në Skandinavi, ndërsa flakët në të gjithë Londrën të martën e kaluar shkatërruan gjithsej 41 shtëpi.

Kushtet treguan një “nevojë të dëshpëruar për veprime pan-evropiane për të trajtuar në mënyrë efektive ndryshimin e klimës”, tha Kluge të premten.

“Që kjo të ndodhë, qeveritë duhet të demonstrojnë vullnet politik dhe lidership të vërtetë në zbatimin e Marrëveshjes globale të Parisit për ndryshimet klimatike, me bashkëpunimin që zëvendëson ndarjen dhe retorikën boshe.”

 

Sa është numri i të vdekurve nga vala e të nxehtit në Evropë?

Shefi rajonal i OBSH-së theksoi se ekspozimi ekstrem i nxehtësisë mund të përkeqësojë kushtet para-ekzistuese shëndetësore.

Goditja nga nxehtësia dhe forma të tjera serioze të hipertermisë, një temperaturë anormale e lartë e trupit, shkaktojnë vuajtje dhe vdekje të parakohshme. Individët në të dy skajet e spektrit të jetës, foshnjat, fëmijët dhe njerëzit e moshuar, janë në rrezik të veçantë,” tha ai.

Rreth 1700 njerëz kanë vdekur tashmë për shkak të valës së të nxehtit në Spanjë dhe Portugali. Në Mbretërinë e Bashkuar, të paktën katër persona raportohet se janë mbytur në liqene dhe rezervuarë ndërsa përpiqeshin të ftoheshin.

 

Si mund të qëndroni të sigurt në një valë të nxehti?

Kluge gjithashtu ndau disa këshilla se si të mbroheni gjatë një vale të nxehtë.

Ai nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së trupit të freskët dhe të hidratuar.

“Përdorni veshje të lehta dhe të lirshme dhe liri krevati, bëni dushe ose banjë të freskëta dhe pini rregullisht duke shmangur alkoolin, kafeinën dhe pijet me sheqer,” tha ai.

“Nëse është e nevojshme dhe e mundur, përpiquni të kaloni 2 deri në 3 orë të ditës në një vend të freskët.”

Ai gjithashtu u bëri thirrje njerëzve që vuajnë nga sëmundje kronike ose që marrin medikamente të shumta që të kërkojnë këshilla mjekësore.

“Nëse ndiheni të trullosur, të dobët ose të shqetësuar, ose keni etje të fortë dhe dhimbje koke, lëvizni në një vend më të freskët”, tha ai.