Kosovë: Votim i raportit në Asamblenë Parlamentare të KE

Një votim i suksesshëm në Asamblenë e Këshillit të Evropës-së, do t’i hapte rrugën Kosovës për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mund ta vendosë në rendin e ditë anëtarësimin e Kosovës më 16 maj.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës gjatë një seance plenare në Strasburg voton të martën (16.04.) raportin për anëtarësimin apo jo të Kosovës në këtë Këshill. Një delegacion i Kosovës ka disa ditë që po qëndron në Strasburg për të bindur deputetët që të votojnë në favor të Kosovës. Kurse delegacioni i Serbisë po bën të kundërtën, përpjekjen për pengimin e Kosovës në KE.

Për t’u miratuar votimi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në seancën plenare, e cila përbëhet nga deputetët që vijnë nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare. Një votim i suksesshëm do t’i hapte rrugën Kosovës për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mund ta vendosë në rendin e ditës anëtarësimin e Kosovës më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit, organizatë, kjo e cila kryesisht merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Kosova akuzon Serbinë për “fushatë të egër” kundër saj

Dy javë më parë Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, votoi raportin për Kosovën të raportueses, Dora Bakoyannis. Ai rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”,u tha në raportin e Komitetit për Politikë dhe Demokraci.

Autoritetet e Kosovës e akuzojnë Serbinë për “fushatë të egër” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia i ka marrë të gjitha masat dhe u ka dërguar letra të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës, për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. “I kam shkruar në total 14 letra të ndryshme liderëve evropianë, kryesisht letra të personalizuara. I kam kërkuar secilit të ketë parasysh shkaqet specifike dhe marrëdhëniet që kemi. Në njërën anë atyre që e njohin Prishtinën, dhe në anën tjetër atyre që nuk e njohin”, tha Vuçiq. Ai ka thënë se në letra ka kërkuar që secili të shqyrtojë edhe një herë vendimin e Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, cili ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis.

Vuçiq u ka shkruar 14 letra të personalizuara liderëve evropianë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vuçiq në konferencë shtypi, me syze dhe dorën tek kufjet në veshVuçiq u ka shkruar 14 letra të personalizuara liderëve evropianë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vuçiq në konferencë shtypi, me syze dhe dorën tek kufjet në vesh

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në vitin 2022. Pjesë e KE-së janë gjithsej 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit./DW