Kosovë-Serbi: Raund i ri bisedimesh në Bruksel për dinarin

A do të ketë zgjidhje në takimin e Brukselit për çështjen e dinarit? Para takimit diplomatë perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren që ndalon përdorimin e dinarit.

Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë takohen sot (04.04) në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së në  një raund të ri bisedimesh për zgjidhjen e situatës së krijuar për dinarin e Serbisë.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi me 01.02, parasheh që euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e ndaluar kështu në mënyrë automatike dinarin e Serbisë. Ndalimi i përdorimit të dinarit, sipas diplomatëve perëndimorë, do të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës që marrin ndihma nga Beogradi. Prandaj ata i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.

Kërkesa nga SHBA e BE

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien më parë bisedoi përmes telefonit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për zbatimin e  marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe diskutimet lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë. James O’Brien shkroi në platformën  X, se me presidenten Osmani diskutoi “rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Kosova në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin pakicë serb, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e marra në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Për Kosovën kjo përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shkroi O’Brien.

Mosthemelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe nga ana e Kosovës “nuk do të shihet si sinjal pozitiv se Kosova dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që tash është i lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, tha më parë dhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Sipas tij, “Kosova duhet ta zbatojë urgjentisht detyrimin e kamotshëm për formimin e Asociacionit dhe kjo kërkesë është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë”.

Kosova dhe Serbia qysh në vitin 2013 nënshkruan marrëveshjen ku Kosova zotohet se do ta formojë Asociaconin e Komunave me Shumicë Serbe, por, në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese konstatoi se marrëveshja nuk është  në harmoni të plotë me Kushtetutën. Kësisoj kjo çështje ka mbetur pezull, ndonëse, në marrëveshjen e vitit të shkuar për normalizimin që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut përfshihet edhe Asociacioni. Marrëveshja për normalizim Kosovë-Serbi, parasheh marrëdhënie të mira fqinjësore dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, ndërsa u kërkon palëve që të përmbushin të gjitha marrëveshjet e mëparshme./DW