Korridori Blu, Thumanë-Kashar përfundon më 30 Qershor!

Tashmë ka një datë se kur do të hapet aksi Thumanë-Kashar, pjesë e projektit që njihet si Korridori Adriatiko-Jonian apo “Korridori Blu”. 30 qershor 2024 është data e hapjes për qarkullimin rrugor, siç u bë me dije gjatë inspektimit të punimeve, ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.

Autostrada e re shtrihet në zonat urbane dhe gjysmë urbane të Thumanës, Fushë-Krujës, Rinasit dhe Vorës, duke i dhënë frymëmarrje qarkullimit në një pikë kritike që prej vitesh pret këtë zgjidhje europiane, ndërkohë që gjatë qershorit lidhen kontratat për segmentet Kashar-Lekaj-Fier dhe Thumanë- Milot.

Po ashtu hapet gara për segmentet Milot-Balldren dhe Balldren-Muriqan, të cilat plotësojnë Korridorin Blu, si pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar.

Aksi i përmbush parametrat e sigurisë rrugore, me mbikalime, 11 ura, 12 nënkalime e kryqëzime, por edhe rrugë aksesi për qytetarët.

Ndërkaq, paralelisht me Korridorin Blu do vijojnë financimet për realizimin e Korridorit VIII Durrës-Pogradec, ku do realizohet gjithashtu lidhja me rrjetin europian të transportit Lindje-Perëndim.