Koreja e Veriut lëshon dy raketa të tjera, vijojnë testet balistike

Koreja e Veriut vijoi testet e saj me raketa balistike duke lëshuar dy të tjera këtë javë.

Mediat raportuan se raketat e fundit ishin me rreze të shkurtër veprimi dhe u lëshuan në brigjet lindore.

Ky është testi më i fundit nga Koreja e Veriut në një vit goxha të trazuar për sa i përket veprimtarisë së saj në zhvillimin e armëve me rreze të gjatë.

Autoritetet në Korenë e Jugut nuk mundën të përcaktonin saktë rrezen e raketave të lëshuara së fundmi, por Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë atje tha për agjencinë Reuters se gjendja po monitorohet “në gatishmëri të plotë”.

Trupat koreano-jugore kanë përfunduar gati dy javë stërvitje në terren me disa njësi amerikane.

Uashingtoni dhe Seuli parashikojnë të nisin javën e ardhshme edhe një stërvitje ajrore.

Ata thonë se stërvitjet janë vetëm për synime mbrojtëse në rast nevoje përballë kërcënimeve të vazhdueshme të Veriut.

Por, Koreja e Veriut thotë se stërvitjet janë një formë provokimi për të provuar një pushtim të mundshëm. Për këtë ata thonë se lëshimet e raketave janë në shenjë proteste.

Lëshimi i raketave këtë javë vjen pak ditë pasi Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut shkëmbyen të shtëna paralajmëruese në brigjet perëndimore, duke akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e kufijve detarë.

Perëndimi ka paralajmëruar se Peniani mund të nisë testin e parë bërthamor, të pezulluar që prej vitit 2017.

*Tibo News.