Koreja e Veriut e shpall veten: Përgjithmonë shtet bërthamor

Koreja e Veriut do të jetë gjithmonë shtet me armë bërthamore. Vendi me në krye Kim Jong-un ka miratuar së fundmi ligjin në të cilin ky vendim mbetet i pakthyeshëm, dhe përjashtohet mundësia e çdo bisedimi për denuklearizim.

Ligji parashikon gjithashtu të drejtën e vendit për të përdorur një sulm bërthamor parandalues për të mbrojtur veten.

Pavarësisht sanksioneve, Pheniani ka kryer gjashtë teste bërthamore mes viteve 2006 dhe 2017. Koreja e Veriut ka vijuar të avancojë aftësitë ushtarake, gjë që përbën shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sipas Rezolutave, lëvizje të tilla përbëjnë kërcënim të hapur ndaj fqinjëve, potencialisht edhe për të sjellë territorin e SHBA-ve Brenda rrezes së goditjes.

Kim Jong-un bëri teste bërthamore dhe lëshoi raketa me rreze të gjatë në vitin 2019 pas dy samiteve me ish presidentin amerikan Donald Trump. Por bisedimet mes vendeve kanë ngecur që atëherë.

Megjithëse administrata e Biden ka treguar se është e gatshme të bisedojë me Phenianin, ajo nuk ka thënë nëse Presidenti Biden do takohet me Kim.

SHBA rishikoi politikën e saj ndaj Koresë së Veriut vitin e kaluar dhe përsëriti se qëllimi ishte “denuklearizimi i plotë” i gadishullit Korean.

Biden tha se do ndiqte çështjen me diplomaci dhe “frenim të ashpër”. Kim u përgjigj duke thënë se vendi i tij duhet të përgatitet si për dialog ashtu edhe për konfrontim.

Ndërkaq, tensionet në gadishullin Korean janë rritur këtë vit, pas lëshimit të një numri rekord raketash balistike.

Koreja e Jugut dhe SHBA janë përgjigjur me lëshimin e disa raketave dhe stërvitjet më të mëdha të përbashkëta ushtarake, prej herë të parë pas shumë viteve.

*Tibo News