AlbanianEnglish

Koreja e Veriut deklaron që ka testuar raketën e tretë hipersonike

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka vëzhguar nga afër testin e raketës hipersonike. Kjo u raportua nga agjencia shtetërore e lajmeve, e cila citoi Jong Un-in të thoshte se ushtria duhet përforcuar më tej.

Pas shikimit të testimit më 11 janar, Kim u ka bërë thirrje shkencëtarëve që të rrisin përpjekjet për të forcuar raketat si nga ana cilësore edhe të numrit të tyre.

Sipas agjencisë, raketa ka bartur pajisje hipersonike dhe ka goditur shënjestrën në det, në distancë prej 1,000 kilometrash. Ky është testimi i dytë i një rakete hipersonike në më pak se një javë.

Kim ka bërë deklarata për forcim të ushtrisë, në kohën kur janë bllokuar negociatat për çarmatosje të Gadishullit Korean nga armët bërthamore.

Testimi i raketës është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se lëshimi i raketës shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

BE e ka konsideruar lëshimin e raketës si “kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare” dhe i ka bërë thirrje Phenjanit që t’i rikthehet diplomacisë.

Ky është lëshimi i tretë i një rakete hipersonike nga Koreja Veriore.

E para është lëshuar në shtator të vitit të kaluar, ndërsa e dyta javën e kaluar.

Armët hipersonike konsiderohen gjenerata e re e armëve dhe shumë ushtri të fuqishme, përfshirë në Shtetet e Bashkuara, Rusi dhe Kinë, tashmë i kanë testuar ato.

Ato  kanë kapacitet për t’iu ikur sistemeve aktuale të mbrojtjes.

You don't have permission to register