Koreja e Jugut paralajmëron ashpër Veriun nëse teston armë bërthamore

Udhëheqësi i Koresë së Jugut i ka drejtuar një paralajmërim të ashpër Veriut për planet e saj bërthamore.

Në një intervistë të gjatë për agjencinë e lajmeve Reuters, Presidenti Yoon Suk-yeol tha se nëse Peniani ecën përpara me një provë rakete bërthamore, do të haste në një përgjigje të paprecedentë nga Seuli dhe aleatët e tij.

I pyetur se çfarë nënkuptonte me këtë, Presidenti koreano-jugor nuk dha detaje, por theksoi se “përgjigja nuk do jetë si më parë”.

Yoon Suk-yeol i cilësoi si përpjekje të pamatura lëvizjet e Veriut për programin e saj bërthamor.

Komentet e tij vijnë ndërsa zyrtarë nga Koreja e Jugut dhe SHBA-ja kanë paralajmëruar se Koreja e Veriut mund të jetë duke u përgatitur për të rifilluar testimin e armëve bërthamore për herë të parë që nga viti 2017.

Në intervistën me Reuters, Yoon Suk-yeol i drejtoi një apel Kinës – si aleati më i afërt i Koresë së Veriut – të bëjë më shumë për të ndikuar në politikën e jashtme të Penianit në mënyrë që rajoni të shkojë drejt paqes së qëndrueshme dhe jo e kundërta.

Në këtë pikë, Presidenti i Koresë së Jugut vuri në dukje se si vendet në rajon, përfshirë Japoninë, po nxiten për të rritur shpenzimet e tyre për programet e mbrojtjes.

Viti 2022 ka qenë një vit me rekorde për sa i përket testeve raketore të Koresë së Veriut, duke përfshirë lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale gjatë muajit nëntor, për të cilën Tokio tha se ra 130 milje larg brigjeve të Japonisë.

Teste të tilla kanë anashkaluar takimet e shumta të liderëve ndërkombëtarë.

I padekurajuar nga reagimet e fqinjëve, Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka deklaruar këtë javë se vendi i tij synon të ketë forcën bërthamore më të fuqishme në botë.

*Tibo News.