Koreja e Jugut ndalon tregtinë e mishit të qenit

Koreja e Jugut e ka kaluar një ligj të ri, i cili synon që deri në vitin 2027 ta ndalojë plotësisht prerjen dhe shitjen e qenve për mishin e tyre. Ky ligj ka për qëllim t’i japë fund traditës shekullore të ngrënies së mishit të qenit.

Sipas ligjit të ri, ndalohet rritja apo therja e qenve për ngrënie, njëlloj siç nuk lejohet as shpërndarja apo shitja e mishit të tyre. Kushdo që shpallet fajtor për një vepër të tillë, mund të përfundojë në burg.

Sondazhet e fundit kanë treguar se më shumë njerëz tani dëshirojnë që ai të ndalohet dhe shumica e jugkoreanëve nuk hanë më mish qeni. Megjithatë, sondazhet gjithashtu tregojnë se një në çdo tre jugkoreanë akoma e kundërshtojnë ndalimin e mishit të qenit, edhe pse nuk e hanë atë.

Të martën, Parlamenti jugkorean e kaloi ligjin me 208 vota për dhe asnjë kundër. Qeveria e presidentit Yoon Suk Yeol e mbështet ndalimin e mishit të qenit, prandaj kalimi i ligjit ishte formalitet.

“Ky ligj synon të ndihmojë në mbrojtjen e vlerave të të drejtave të kafshëve, të cilat nënkuptojnë respekt për jetën dhe një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe kafshëve”, thuhet në legjislacion.