Kopjoi të dhënat e TIMS, arrestohet drejtori i IT në Policinë e Shtetit

Është arrestuar drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça , pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS.

Sipas mediave, pasi shkarkoi të dhënat e paautorizuara duke përdorur pin-in e një kolegeje, ai i kaloi ato në kompjuterin e tij. Muça ka mohuar kryerjen e veprës penale, por hetuesit duket se kanë në dorë pamje filmike ku kanë fiksuar drejtorin e IT duke u futur në sistemin Tims, në datën 2 gusht 2023.

Muça ka pretenduar se nuk ka qenë në zyrë atë ditë, por thuhet se ai është filmuar edhe nga kamerat e bizneseve rreth e rrotull. Ndërkohë, edhe roja ka deklaruar se Muça ka qenë në zyrë.

Ndërkaq, pak ditë më parë mbi këtë ngjarje u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar, i cili do hetojë rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.

Mësohet se fillimisht kallëzimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në vitin e kaluar u bë në organet e drejtësisë pas insistimit të përfaqësisë amerikane në Shqipëri të cilët zbuluan edhe ndërhyrjen në sistemin e të dhënave TIMS.

Sipas prokurorisë, Ervin Muça në dokumentet aplikuese për pozicionin e Drejtorit të IT në Policinë e Shtetit nuk ka deklaruar se punonte si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke shkelur kështu ligjin.