Koncesioni i sterilizimit. SPAK përfundon hetimet, pritet akuza edhe për Ilir Beqajn

SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen e koncesionit të sterilizimit, duke dorëzuar dosjen në gjykatë.

Prokuroria e Posaçme po iu komunikon akuzat të dyshuarve. Nën akuzë për koncesionin e sterilizimit janë tetë persona, mes tyre ish zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë ish ministrin Ilir Beqaj.

Për koncesionin 100 milionë euro në pranga janë vënë 2 persona, ish zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Ndërsa ndaj Beqajt, SPAK caktoi masën e shtrëngimit të paraqitjes në policinë gjyqësore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit si person nën hetim.

Për Ilir Beqajn, në rast se gjykata pranon kërkesën e prokurorisë do gjykohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Çështja lidhet me një tender me vlerë rreth 100 milionë euro, i organizuar prej vitit 2014 nga ministria e Shëndetësisë.

Sipas prokurorisë, tenderi i është dhënë një prej biznesmenëve që ka pasur njohje me zëvendës ministrin e Shëndetësisë dhe këtë njohje nuk e ka konstatuar Beqaj kur ishte drejtues i ministrisë së Shëndetësisë.

Të përfshirë janë edhe pesë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave të cilët do gjykohen nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.