Komuniteti Mysliman reagon për Dervish Hasën: S’mbajmë regjistër me të dhëna psikologjike…

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar pas kërkesës së mediave për një reagim në lidhje me arrestimin e kardiokirurgut Dervish Hasi, i cili përfundoi në prangat e policisë së Tiranës me akuzat e shfrytëzimit për prostitucion ndaj një të miture 16 vjeçare. Komuniteti Mysliman distancohet totalisht nga rasti, duke thënë se e gjen të pavend interesimin e lartë për një çështje që nuk i përket KMSH, por organeve ligjzbatuese të shtetit. KMSH thekson se distancohet nga çdo individ apo ndonjë grup që keqpërdor fenë Islame për qëllime të tilla të ulëta. Komuniteti Mysliman Shqiptar i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të tregohen korrekt dhe të kujdesshëm në citimet e tyre gjatë raportimit të ngjarjeve të ngjashme.
Reagimi:
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është një institucion fetar, i cili ushtron aktivitetin e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Është institucion që merret me jetën fetare dhe përçimin e mesazhit të qartë e të pastër islam në vendin tonë, gjë të cilën prej një shekulli e ushtron në përputhje me parimet më të larta fetare dhe konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Ne e gjejmë të pavend interesimin e lartë për një çështje që nuk i përket KMSh-së, por organeve ligjzbatuese të shtetit shqiptar. Komuniteti Mysliman, ashtu si çdo fe tjetër, nuk mban regjistër me të dhëna psikologjike apo devijime të natyrave të ndryshme të njerëzve, qofshin frekuentues ose jo të objekteve tona të kultit. Ne distancohemi nga çdo individ apo grup që keqpërdor fenë për qëllime të ulëta. Një individ që është objekt për organet ligjzbatuese nuk mund të jetë asgjë më shumë se kaq. Ne distancohemi nga çdo individ që kryen akte të ulëta e të shëmtuara, aq më tepër duke u strukur pas besimit. Islami është fe e paqes, moralit të lartë dhe drejtësisë!”.

Dervish Hasi me profesion kardiokirurg në Sanatorium, u arrestua një ditë më parë nga policia e Tiranës për shfrytëzim prostitucioni ndaj një të miture. Ai ka 3 gra dhe asnjëra prej tyre nuk ka treguar gjë në lidhje me ngjarjen e rëndë, teksa Hasi videot intime me të miturën ua dërgonte edhe grave të tij.
Familjarët e vajzës 16-vjeçare që kryente marrëdhënie seksuale me 42-vjeçarin Hasi kanë reaguar duke thënë se kanë qenë kundër marrëdhënies mes tyre, por që nuk kanë arritur ta shkëpusin vajzën e tyre nga lidhja me kardiokirurgun 42-vjeçar.
16 vjeçarja është marrë në pyetje ku ka treguar se lidhja me 42 vjeçarin ka qenë zgjedhja e saj dhe se nuk është detyruar nga ai për asnjë nga veprimet e saj. Ndërkaq Dervish Hasi ka pretenduar se marrëdhënia ka qenë me konsensur dhe se të dy e konsideronin njëri tjetrin të martuar me hoxhë.

Arrestohet kardiokirurgu në Tiranë, videot intime me të miturën ua dërgonte tri grave