AlbanianEnglish

Komiteti Teknik njofton masat e reja për COVID-19

Komiteti Teknik ka njoftuar sot masat e reja për pandeminë e COVID-19. Një ndër to ishte heqja e kufizimit të numrit të personave deri në 50 në grumbullime në aktivitete të ndryshme dhe mbushjes së kapaciteteve deri në 30% të këtyre ambienteve.

Për personat që hyjnë në Shqipëri vijojnë të ngelen masat e mëhershme.

“Siç është vënë re dhe në raportimet tona të përditshme situata ka qenë e kontrolluar me qëndrueshmëri. Arsyeja kryesore për këtë situatë të qëndrueshme është vaksinimi, i cili po vazhdon. Qytetarët që hyjnë nga pikat kufitare duhet të dorëzojnë një nga dokumentet, pasaportë vaksinimi, test PCR brenda 72 orëve ose testin e shpejtë, provë të kalimit të infeksionit të vlefshme deri në 6 muaj. Rezidentët që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura duhet të vetëizolohen. Qytetarët e konfirmuar me Covid të respektojnë izolimin 5 ditë nga koha e konfirmimit”, tha Rakacolli.

Sipas saj, vijon të mbetet në fuqi në gjithë institucionet shëndetësore të mos lejohet hyrja e familjarëve për personat e shtruar.

“Mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, qendra tregtare supermarkete, dyqane etj. Në administratë duhet të kesh certifikatën e vaksinimit. Vaksinimi është i hapur. Doza booster ofrohet për të gjitha kategoritë, 5 muaj pas dozës së dytë. Vaksinimi është e vetmja mënyrë për të na mbrojtur nga COVID-19”, u shpreh Rakacolli.

Ndërkohë që drejtoresha e ISHP, Tomini tha se ka një situatë të qëndrueshme sa i përket indikatorëve të pandemisë. “Ulje e rasteve spitalore dhe të grupmoshave. Niveli mesatar 46.6%. 26.4 raste për 100 banorë, incidenca mesatare dy javore. 5.5% pozitiviteti. Procesi i vaksinimit ka vijuar”, tha ajo.

Najada Çomo tha se në spitalin COVID 1 ku janë pacientët me COVID-19, kemi një ulje të numrit të të shtruarve në spital në 2 javët e fundit. “Numri i pacientëve që paraqiten në spital është 3 raste gjatë 24 orëve. 45-60 vjeç grupmosha më e prekur. Për herë të parë në spital mbizotëron numri të shëruarve apo të përmirësuarve në krahasim me të shtruarit. Është dyfishuar numri i pacientëve të dalë nga spitali. Është minimizuar dhe numri i personave që kanë ndërruar jetë”, tha Çomo.

You don't have permission to register