Koalicioni “Forumi Shqiptar” fiton zgjedhjet në Tuz

Koalicioni “Forumi Shqiptar Bashkim dhe Zhvillim”, i drejtuar nga Nik Gjeloshaj, ka fituar shumicën absolute në zgjedhjet në Tuz, komunë e banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Podgoricës të cilat u mbajtën me 5 mars. Ky koalicion ka marrë rreth 52 për qind të votave, sipas të dhënave preliminare.

Në këtë koalicion, veç partisë së Gjeloshit Alternativa Shqiptare (AA) bëjnë pjesë edhe partitë tjera shqiptare: Aleanca Demokratike e Shqiptarëve (DSH), Unioni Kombëtar Shqiptar (UKSH) dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi (DSCG).

Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 12.387 votues, ku 66.5 për qind nga ta morën pjesë në votime. Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, me parregullsi të vogla që nuk mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

Tuzi është në qendër të Malsisë, që gjendet mes Malit të Zi dhe Shqipëri. Statusin si komunë e pavarur , Tuzi e rifitoi në shtator të vitit 2018, duke u ndarë nga kryeqyteti i Malit të Zi. Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës dhe më pas një prej komunave të kryeqytetit. Në zgjedhjet e para të mbajtura më 2019, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq fitoi pushtetin në Tuz.