
Klima, Emiratet e Bashkuara Arabe zgjedhin personin që do drejtojë bisedimet COP28
Kreu i një prej kompanive më të mëdha të naftës në botë, është emëruar për të udhëhequr bisedimet globale të klimës në Dubai, që do të mbahen gjatë këtij viti.
Sultan Ahmed Al Jaber është aktualisht shefi ekzekutiv i Kompanisë Kombëtare të Naftës në Abu Dhabi. Ai është gjithashtu ministër për industrinë dhe teknologjinë e avancuar për mikpritësit e COP28, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Aktivistët thonë se ai duhet të heqë dorë nga roli i tij në biznesin e naftës si president, pasi do të ndodhet në konflikt interesi.
Ata besojnë se dikush që ka lidhje në industrinë e naftës mund të mos i shtyjë vendet që të reduktojnë me shpejtësi prodhimin dhe përdorimin e karburanteve fosile, gjë që shkencëtarët thonë se është kritike për të shmangur ndryshimet klimatike.
Drejtimi i procesit të bisedimeve globale për klimën nuk është një punë e lehtë, pasi çdo fjalë dhe veprim i presidentit shqyrtohet shumë.
COP28 tashmë është zhytur në disa polemika pasi mikpritësit, Emiratet e Bashkuara Arabe, janë një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të naftës dhe gazit.
Emërimi i një figure kyçe në industrinë e energjisë si president i emëruar i COP28 ka të ngjarë të rrisë shqetësimet se procesi i bisedimeve globale për klimën po përballet me ndikim të rëndësishëm nga interesat e karburanteve fosile.
Mbledhja e fundit në Egjipt u përshkrua nga disa pjesëmarrës si një “shfaqje e lavdëruar tregtare e karburanteve fosile”.
Al Jaber është shefi ekzekutiv i Kompanisë Kombëtare të Naftës Abu Dhabi, që thuhet se është kompania e 12-të më e madhe e naftës në botë. Gjatë dekadës së fundit ai është bërë fytyra e industrisë energjetike të Emirateve të Bashkuara Arabe, por ai do të jetë i pari ekzekutiv i naftës që do të marrë rolin e presidentit të COP.
Përveçse është ministër dhe i dërguar i vendit të tij për klimën, ai është gjithashtu kryetar i Masdar, kompania e energjisë së rinovueshme në pronësi të qeverisë që ai ndihmoi në krijim.
Ai sigurisht që ka paralajmëruar prej kohësh për rreziqet e ndryshimeve klimatike, por aktivistët janë të shqetësuar për emërimin e tij dhe po i bëjnë thirrje atij të largohet nga rolet e tij në industri.
Ajo që do të shqetësojë aktivistët është se prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit janë ndër ata që kundërshtojnë një fazë më të shpejtë të largimit të të gjitha lëndëve djegëse fosile.
*Tibo News