
Klik Ekspo Group sjell edicionin e 28-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës
Dhjetori sjell edicionin e 28-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, që si zakonisht organizohet nga Klik Ekspo Group.
Për katër ditë me radhë, nga data 1 deri më 4 dhjetor, përfaqësues të kompanive të ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare ekspozojnë në Pallatin e Kongreseve aktivitetet e tyre në stenda të dedikuara.
Pjesë e këtij panairi do të jetë edhe platforma TIBO.
Gjithçka nis me ceremoninë hapëse, parashikuar për në orën 11:00 në “Sallën A” të Konferencave, me fjalën përshëndetëse të Drejtuesit për Partneritet Strategjik në Klik Ekspo Group, Z. Luel Muhametaj dhe përfaqësuesve të Bashkisë Tiranë, Kuvendit, Qeverisë, ambasadave dhe dhomave rajonale të tregtisë.
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës shihet me vëmendje nga organizatat dhe kompanitë e huaja që kanë interes për zgjerimin e investimeve.
Ai ofron një mundësi të shkëlqyer për zgjerimin e bashkëpunimeve, kontakteve, por dhe promovimin e ofertave apo produkteve më të reja.
Këtë vit panairi vjen me moton “Mendo Globalen, rrok virtualen!” dhe do të ketë përfaqësues nga sektorë si: industria agro-ushqimore, e paketimit, pijeve, materialeve të ndërtimit, energjitikës, teknologjisë, digjitalizimit, elektro-shtëpiakeve etj.
Të pranishëm do të jenë 250 ekspozues, që përfaqësojnë kompani apo organizata nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Italia, Franca, Danimarka, Turqia, Serbia etj. Krahas tyre, të pranishëm edhe delegacionet zyrtare shtetërore.
Panairi vjen gjithashtu edhe si gërshetim mes rrafshit të biznesit dhe kulturës ku parashikohen promovime edhe të artit dhe publicistikës.
*Tibo News.