KLGJ i propozon Metës dy emërime të reja në Gjykatën e Lartë

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit i ka propozuar Presidentit dy emërime të reja për në Gjykatën e Lartë. Emrat e propozuar janë Margarita Buhali dhe Enton Dhimitri. Buhali është gjyqtare e Apelit të Vlorës prej vitit 2013 dhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Margarita Buhali ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe pas kësaj u emërua gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Dhimitri është gjyqtar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër ku është emëruar që prej vitit 2014. Ai ka kaluar vetingun pasi KPK e ka konfirmuar në detyrë në janar 2019.

Enton Dhimitri ka përfunduar shkollën e Magjistraturës në 2005, ndërsa më parë ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër (2005-2014). Aktualisht, Gjykata e Lartë ka në përbërjen e saj 14 anëtarë, ndërsa në total duhet të jetë 17 anëtarë.

Gjykata e Lartë ka një stok prej mijëra dosjesh që presin prej shumë vitesh shqyrtim pasi prej një kohe të gjatë funksionimi i saj ka qenë në ngërç.