Kirurgët në Oksford kryejnë transplantin e parë të mitrës në Britani

Kirurgët në Oksford kanë kryer transplantin e parë të mitrës në Mbretërinë e Bashkuar. Marrësi ishte një grua 34-vjeçare dhe donatori motra e saj 40-vjeçare, të dyja dëshirojnë të mbeten anonime.

Mjekët thonë se të dyja dolën mirë nga operacioni dhe motra më e vogël ka disa embrione në ruajtje, në pritje për t’u transferuar.

Një ekip prej më shumë se 30 vetësh i kreu procedurat, që zgjatën rreth 17 orë, në sallat e operacionit në spitalin Churchill. Motra e saj kishte tashmë dy fëmijë dhe nuk dëshironte më fëmijë. Të dyja motrat jetojnë në Angli.

Richard Smith, kirurg gjinekologjik, i cili drejtoi ekipin e marrjes së organeve, ka shpenzuar 25 vjet duke studiuar transplantin e mitrës. Ai i tha BBC-së se ishte një “sukses masiv”.

Ai tha: “E gjithë kjo ishte emocionale. Mendoj se të gjithë ishim pak të përlotur më pas.”

Gruaja pati menstruacionet e para dy javë pas operacionit. Ashtu si pacientët e tjerë të transplantuar, ajo duhet të marrë ilaçe imunosupresive për të parandaluar refuzimin e indeve. Këto bartin disa rreziqe shëndetësore afatgjata, kështu që mitra do të hiqet pas maksimumi dy shtatzënive.

Ajo ka lindur me një gjendje të rrallë, Tipi 1 Mayer-Rokitansky-Küster-Hauser (MRKH) ku mitra mungon ose është e pazhvilluar, por ka vezore funksionale. Para operacionit ajo kishte trajtuar fertilitetin me burrin e saj dhe ata kanë tetë embrione në ruajtje.

Të dy iu nënshtruan këshillimit para operacionit dhe rasti i tyre u shqyrtua dhe u miratua nga Autoriteti i Indeve Njerëzore. Kostot e NHS, të vlerësuara në 25,000 £, u paguan nga organizata bamirëse Ëomb Transplant UK. Më shumë se 30 staf të përfshirë në atë ditë dhanë kohën e tyre falas.

Në vitin 2014, një grua në Suedi u bë e para që lindi një fëmijë si rezultat i transplantit të mitrës. Ajo kishte marrë një bark të dhuruar nga një mik në të 60-at e saj.

Që atëherë, 100 transplante të mitrës janë kryer në mbarë botën dhe kanë lindur rreth 50 foshnja, kryesisht në SHBA dhe Suedi, por edhe në Turqi, Indi, Brazil, Kinë, Republikën Çeke, Gjermani dhe Francë.

Kirurgëve në Mbretërinë e Bashkuar iu dha leja për të filluar kryerjen e transplanteve të mitrës në vitin 2015. Duke shkruar në Revistën Britanike të Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, ekipi përmendi “vonesat institucionale” dhe Covid-in si arsyet pse Mbretërisë së Bashkuar i ishte dashur kaq shumë për të kryer operacionin e saj të parë.