
Kina vepron me “dorë të hekurt” për mbrojtjen e fëmijëve nga interneti
Kompanitë e angazhuara në lojëra online, transmetime të drejtpërdrejta, audio dhe video në Kinë duhet të krijojnë një modul rinor për të mbrojtur të miturit nga interneti. Ky veprim vjen pas draft-rregullores të hartuar të hënën nga Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës.
Platformat kryesore duhet të shkruajnë raporte vlerësimi për mbrojtjen kibernetike ndaj të miturve në mënyrë që të ofrojnë një mjedis sa më të sigurt në internet.
Platformat kryesore të transmetimit të videove të Kinës Tencent Video dhe iQIYI si dhe platforma e videove të shkurtra në pronësi të ByteDance, Douyin, kanë publikuar tashmë një modul rinor për të miturit.
Autoritetet në Kinë janë shqetësuar prej kohësh për varësinë ndaj lojërave dhe internetit tek të rinjtë e vendit të saj.
Vitin e kaluar, Kina prezantoi rregulla të reja që kufizojnë sasinë e kohës që fëmijët nën 18 vjeç shpenzojnë në videolojëra në tre orë në javë.
Asokohe, Kina e cilësoi një veprim të nevojshëm për të luftuar varësinë nga lojërat.