Kina shënon rritje të infektimeve pas protestave

Vala e zemërimit që përfshiu qytetet në Kinë mbi kufizimet e koronavirusit përgjatë fundjavës solli pasojat e saj këtë të hënë.

Situata epidemiologjike aktualisht nuk është e mirë pasi me nisjen e javës u raportuan mbi 40.000 raste të reja infektimesh në Kinë.

Megjithatë protestuesit nuk janë ndalur vetëm në Kinë por edhe në vende të tjera.

Në Japoni, njerëzit u dëgjuan duke brohoritur “poshtë Partia Komuniste Kineze” ndërsa në Londër një turmë e madhe u mblodh jashtë ambasadës Kineze atje duke mbajtur pankarta të ndryshme ku shkruhej se kërkojnë ndryshim të udhëheqjes kineze.

Protestuesit në Shangai patën përplasjet e tyre me policinë e cila arrestoi disa persona ku mes tyre edhe një gazetar të BBC-së.

Ndërkohë Kina vazhdon ti përmbahet politikës së saj zero-Covid edhe pse pjesa më e madhe e botës ka hequr kufizimet.

Këtë të hënë autoritetet në Shangai vendosën barriera përgjatë pjesëve të ndryshme të rrugëve me synim ndalimin e protestave.