
Kina në mbingarkesë spitalore prej infektimeve nga COVID-19
Një valë e re infektimesh me COVID-19 kanë pushtuar spitalet kineze së fundmi.
Agjencia e lajmeve Reuters, raportoi se autoritetet besojnë që gjysma e popullsisë prej 25 milionësh të Shangait mund të infektohet deri natën e ndërrimit të viteve.
Në Pekin, punonjësit e kujdesit shëndetësor thanë se pacientët mund të duhet të largohen për shkak të mbingarkesës së spitaleve.
Vala e re vjen pasi qeveria e Presidentit Xi Jinping braktisi papritmas masat e rrepta që synonin të mbanin të kufizuar virusin.
Media shtetërore tha këtë javë se punëtorëve të vijës së parë u është thënë të vijojnë turnet edhe nëse janë me shenja sëmundjeje, ndërsa në disa zona është rikthyer në punë edhe stafi që kishte dalë në pension.
Komiteti i Shëndetit Publik ka thënë se do të ndalojë publikimin periodik të të dhënave kjo me arsyetimin se ato tanimë janë pak të besueshme.
Ekspertët e shëndetit publik në Britani të Madhe vlerësojnë se me treguesit e shfaqur Kina mund të jetë duke u përballur me një situatë të rëndë me rreth 1 milionë të infektuar dhe 5 mijë vdekje pothuajse çdo ditë.
*Tibo News.