Kina nderon ish-udhëheqësin e saj Jiang Zemin

“Një figurë që do të mbetet në zemrat e të gjithë kinezëve.”

Kështu e përshkroi presidenti Xi Jinping ish-udhëheqësin kinez Jiang Zemin, gjatë ceremonisë zyrtare që u mbajt për nder të shtetarit kinez këtë javë.

Jiang vdiq të mërkurën e shkuar nga leucemia në moshën 96-vjeçare.

Dekada e tij në pushtet mbahet mend për bumin ekonomik të Kinës dhe për daljen e vendit nga izolimi diplomatik me të cilin u përball pas protestave në sheshin Tiananmen.

Në të gjithë vendin, gjatë mesjavës, sirenat e sulmeve ajrore u lëshuan për tre minuta pas orës 10:00 duke nisur ceremoninë zyrtare.

Paralelisht autoritetet pezulluan gjithashtu për tre minuta tregjet e aksioneve, valutës dhe obligacioneve.

Duke folur në Sallën e Madhe të Popullit, Xi bëri homazhe për Jiang për një audiencë që përfshinte udhëheqjen më të lartë të Kinës dhe familjarët e ish-udhëheqësit.

Ai e konsideroi ish-liderin “një marksist të madh” dhe “një revolucionar proletar, burrë shteti” dhe “strateg ushtarak”.

Xi u ndal edhe te trazirat politike me të cilat u përball Kina në fillim-vitet 90-të, duke përmendur edhe protestat pro-demokratike të sheshit Tianenmen, që zakonisht censurohen shumë në Kinë.

Sipas tij Kina vijoi në drejtimin e duhur duke mbajtur krahun e interesave themelore të kombit, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit nga Perëndimi.

Në fjalimin e tij, lideri aktual i Kinës, vlerësoi gjithashtu si një hap të madh, arritjen e një konsensusi për politikën e jashtme, të ashtuquajturën politika e “Një Kine të vetme”, që qartëson marrëdhëniet me Perëndimin për sa i përket çështjes së Tajvanit.

Trupi i Jiang Zemin u transferua në Pekin nga Shangai me një fluturim special.

Më vonë trupi u dogj sipas traditave kineze.

Vdekja e Jiang ka shkaktuar një valë nostalgjie për kohët relativisht më liberale që ai udhëhoqi.

Ajo vjen në një kohë të trazuar pasi zhgënjimi i qytetarëve për kufizimet e ashpra anti-COVID u kthyen në protesta.

*Tibo News