Kievi “i arratiset” tmerreve të luftës përmes muzikës

Festat rrallë fillojnë me një DJ që vjen me uniformën ushtarake, por ky është realiteti për skenën e muzikës elektronike të Ukrainës, ndërsa ajo vazhdon ende me luftën.

Përpara se të fillonte pushtimi rus më 24 shkurt, kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, po bëhej një destinacion kryesor evropian për jetën e natës. Tani, organizatorët e saj të rinj kanë filluar të rindërtojnë një strukturë kulturore të shkatërruar nga konflikti. Artur Bhangu, DJ i veshur me uniformë ishte një student 25-vjeçar i oftalmologjisë, i cili iu bashkua forcës së mbrojtjes territoriale të Kievit kur filloi lufta.

Ai u shpreh se ishte i lumtur që po luante muzikë në mënyrë që të mblidhte para për forcat e armatosura të Ukrainës; një pjesë e të ardhurave të eventit do t’u dhurohet atyre.

“Sapo situata në Kiev u qetësua, ne filluam menjëherë të mendonim se si t’i ndihmonim miqtë tanë duke përdorur muzikën…për të mbledhur donacione dhe për të ndihmuar ata që ishin në front,” u shpreh ushtari dhe njëkohësisht DJ i eventit.

Një turmë e madhe u mblodh për ngjarjen e pasdites në oborrin me diell të një fabrike të pashfrytëzuar, një nga shumë hapësirat industriale të mëdha e të rrënuara të epokës sovjetike të ripërdorura nga artistë dhe muzikantë në lagjen Podil të Kievit.

Në Kiev, qindra milje larg vijave të frontit, kujtimet e luftës nuk janë ende larg.

Një prej organizatorëve u shpreh se kur dëgjojnë ndonjë sirenë të sulmeve ajrore, ata fikin muzikën dhe shkojnë në strehën më të afërt.

Turma e mbledhur prej rreth 100 vetësh, shumë prej tyre të veshur me majë fluoreshente ose lëkurë, kërceu plot gjallëri rreth pistës së vallëzimit në diellin e hershëm të mbasdites, duke shijuar mundësinë e tyre për të shpërqendruar veten nga lufta.