
Kërkohej për tradhti nga Ukraina, zyrtari i emëruar nga rusët ndërron jetë
Zëvendësguvernatori i Khersonit me emrin Kirill Stremousov, i vendosur nga Rusia ka ndërruar jetë.
Lajmin e kanë bërë me dije mediat shtetërore ruse, ku thonë se Stremousov ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti automobilistik.
Stremousov, 45 vjeç, u emërua në detyrën e tij dy muaj pas pushtimit rus të Ukrainës.
Ai ishte një nga ‘ithtarët’ më të shquar të pushtimit rus dhe u bë i njohur për deklaratat agresive në rrjetet sociale. Ai kërkohej për tradhti nga policia ukrainase.
Shumë zyrtarë të emëruar nga Rusia në Ukrainën e pushtuar janë shënjestruar në sulme.
Kherson, e vetmja qendër rajonale ukrainase e kapur nga trupat ruse pas pushtimit, është vënë në shënjestër nga një kundërofensivë ukrainase.
Ditët e fundit, Stremousov u kërkoi civilëve të largoheshin nga bregu lindor i lumit Dnipro përballë përparimit ukrainas, mes indikacioneve se forcat ruse mund të braktisin qytetin.
Ukraina akuzon Rusinë për dëbimin me forcë të banorëve vendas.
*Tibo News