
Kentaki, SHBA: Të paktën 25 të vdekur nga përmbytjet
Përmbytjet shkatërruese kanë vrarë të paktën 25 njerëz në rajonin Appalachia të Kentakit lindor, fatkeqësia më e keqe e tillë për dekada.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear tha se ai priste që numri i të vdekurve të vazhdojë të rritet. Ai tha se qindra shtëpi dhe biznese janë përmbytur.
Presidenti Joe Biden i ka shpallur përmbytjet “një fatkeqësi të madhe” dhe ka urdhëruar ndihmën federale për të ndihmuar shpëtimtarët lokalë.
Mes të vdekurve janë të paktën gjashtë fëmijë, përfshirë një 1-vjeçar.
Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës po shkakton më shumë ngjarje ekstreme të motit si përmbytjet në Kentaki.
Pas një turneu ajror me Gardën Kombëtare, Beshear tha se përmbytja ishte ” më e keqja” që kishte parë.
“Ka ende shumë njerëz atje, ende shumë njerëz të pagjetur. Ne do të bëjmë çmos për t’i gjetur të gjithë,” shtoi ai, duke paralajmëruar se mund të duhen javë për të gjetur të gjitha viktimat.
Qindra njerëz janë shpëtuar me varkë ose helikopter.
Ka një varfëri të gjerë në zonat e prekura, ku të paktën 33,000 njerëz tani nuk kanë energji elektrike. Përmbytja, pas shiut të rrëmbyeshëm, shkaktoi rrëshqitje dheu dhe i bëri rrugët të pakalueshme.
Appalachia ka pasur përmbytje të shpejta më parë, por jo në këtë shkallë, tha zoti Beshear.
Disa zona raportuan më shumë se 20 cm shi në një periudhë 24-orëshe.
Qarqet Perry dhe Knott janë goditur veçanërisht rëndë dhe ka pasur disa përmbytje gjithashtu në Virxhinia dhe Virxhinia Perëndimore fqinje. Lumenjtë në rajon pritet të ngrihen gjatë gjithë fundjavës.
Më shumë reshje priten në fillim të javës së ardhshme, tha zoti Beshear, duke u kërkuar njerëzve që të kenë një plan sigurie.
Përfaqësuesit nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave të SHBA mbërritën të premten për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit lokal.
Beshear tha se është ende e paqartë se sa njerëz janë prekur ose të zhdukur. Disa zona kanë qenë të vështira për t’u arritur për shkak të pjesëve të dëmtuara në 28 rrugë shtetërore.
Ai konfirmoi se trupat e katër vëllezërve dhe motrave të vegjël ishin në mesin e atyre që u gjetën, më i madhi ishte tetë vjeç dhe më i vogli një vjeç.
Nëna dhe babai, të cilët mbijetuan, mbetën të bllokuar në pemë për tetë orë para se të arrinte ndihma.
Zoti Beshear tha se “do të jenë disa ditë të vështira, do të jetë një rindërtim i gjatë”.
Kentaki, si pjesët e tjera të botës, ka parë ndikimin e ngjarjeve më të shpeshta ekstreme të motit. Shteti ka parë më shumë centimetra shi jashtë mesatares historike në 10 vitet e fundit, sipas tw dhwnave nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike.
Bill Haneberg, një ekspert i klimës dhe gjeolog i shtetit, tha se kjo ngjarje e reshjeve është “e jashtëzakonshme” për Kentakin.
Ai shtoi se rritja e sasisë së reshjeve gjatë viteve është në përputhje me atë që ekspertët kanë parashikuar për rajonin, që klima e Kentakit do të bëhej më e nxehtë dhe më e lagësht për shkak të ndryshimeve klimatike.
Përmbytjet historike vijnë pasi shteti rimëkëmbet nga tornadot më vdekjeprurëse në historinë e tij, të cilat vranë më shumë se 70 në dhjetor 2021.