
Këngët italiane nuk do të luhen më në Facebook dhe Instagram
Kompania Meta nuk do të riprodhojë më, përmes Facebook-ut dhe Instagramit, këngë italiane dhe pjesë muzikore, pasi nuk u arrit një marrëveshje me kompaninë italiane Siae, e cila mbron të drejtat e autorit të kantautorëve dhe muzikantëve.
Vendimi është marrë nga Meta, drejtuesi i dy rrjeteve sociale, i cili ka bërë të ditur se “për fat të keq, marrëveshja përkatëse me Siae nuk mund të rinovohet”. Masa vlen vetëm për përdoruesit e mediave sociale në Itali.
Mediat fqinje theksojnë se negociatat përkatëse ka gjasa të vazhdojnë dhe se për momentin, pjesa më e madhe e këngëve të “mbrojtura” nga Siae, nuk janë hequr nga dy rrjetet e njohura sociale.
Komentuesit italianë theksojnë se, veçanërisht për artistët e rinj, është e rëndësishme që të jenë në gjendje t’i bëjnë të njohura këngët e tyre, me disa përfitime financiare, duke përdorur mediat sociale.