“Kemi nevojë për Psikiatër, jo për Influencer”

Beatriz Lopez, një 47 vjeçare nga Valencia, shqetësohet nga mënyra se si njerëzit po flasin dhe po e trajtojnë depresionin, kudo në mediat sociale. Kjo është një temë që personalisht atë e ka prekur drejtpërdrejt prej 30 vitesh.

“Pra, as unë dhe as familja ime nuk e dinim se çfarë po më ndodhte. Depresioni ishte një tabu dhe njerëzit qëndronin larg atyre që guxonin ta thyenin atë tabu. Në këtë kohë, sëmundja mendore ka marrë një fokus: Duket se po flitet më shumë, dhe ashtu po ndodh në fakt, por jo domosdoshmërisht për mirë. Tani çështja po romantizohet.”

Normalizimi i bisedës për çështjet e shëndetit mendor është një gjë pozitive, por ka një ndryshim të madh midis terapisë destigmatizuese, një bisede të personalizuar, të udhëhequr nga ekspertë dhe shndërrimit të saj në përmbajtje të mediave sociale. Po përdoret për të tërhequr vëmendjen, për të rritur numrin e pëlqimeve apo likes, si dhe për të përfituar para.

“Depresioni është një sëmundje që duhet trajtuar nga një specialist. Ne nuk kemi nevojë për influencues. Ne kemi nevojë për psikiatër.”

Por kjo mesa duket do të duhet të presë….

Beatriz Lopez shkoi tek mjeku i sigurimeve shoqërore për të lënë një takim me psikologun. Ia kanë lënë takimin për muajin prill. Spanja ka gjashtë psikologë publikë për 100,000 banorë, tre herë më pak se mesatarja evropiane dhe 11 psikiatër për 100,000 njerëz, pothuajse pesë herë më pak se në Zvicër (52) dhe gjysmë në Francë (23), Gjermani (27) Holandë ( 24) dhe mendoni situatën në Shqipëri…. Në këtë kontekst, ‘krijuesit e përmbajtjeve të shëndetit mendor’ po mbushin një boshllëk shëndetësor?!

Videot e TikTok me hashtaget #shëndetmendor janë parë pothuajse 44 miliardë herë. Ky mund të jetë një lajm i mirë, por e rëndësishme nuk është se sa, por se si flitet. Muajt e fundit, shumë adresa kanë kaluar nga rritja e ndërgjegjësimit në ofrimin e udhëzimeve dhe argëtimit. Ka influencer të shëndetit mendor, njerëz të patrajnuar që kanë gjetur një treg në zgjerim.

“Të flasësh për shëndetin mendor ka dalë në modë,” thotë Luis Muino, psikoterapist dhe person mjaft i popullarizuar në Podcast.

Ai thotë se ne fillimisht duhet të kuptojmë mendjen tonë. Dhe mendoj se është e rëndësishme ta njohësh atë, ta konceptosh. Nga tabuja e shëndetit mendor kemi kaluar në të kundërtën: flitet, ndonjëherë, shumë. Sepse kur diçka është në modë, ka nga ata që mund të tërheqin me përvojën e tyre për të kërkuar vëmendje, për të justifikuar veten dhe për të thënë: “Hej, edhe unë e kam pasur atë.” Në një farë mënyre kuptohet se është diçka që jep status, që duket trend dhe e ‘lezetshme’.”

Issey Moloney është një 18-vjeçare britanike me më shumë se shtatë milionë ndjekës në TikTok. Ajo kombinon videot me rutinat e saj të bukurisë ose udhëtimet e saj, me video argëtuese që lidhin depresionin me ngrënien e makaronave ose duke renditur me lista informacione të tilla si “Shenjat që tregojnë se mund të keni çrregullim bipolar”.

Në një video 24 sekondëshe, ajo del duke qarë ndërsa shikon kamerën dhe liston ndjesi të tilla si “të ndihesh bosh” ose “të kesh marrëdhënie shumë të shkurtra dhe intensive”. Mes komenteve të saj, disa nga përdoruesit e akuzojnë atë se “patologjizon të qenit adoleshente”.

Borja Hiriart është një kilian me një llogari ku ka dy milionë e gjysmë ndjekës në TikTok. Ndër videot e tij më të shikuara është një në të cilën mund të lexohet mesazhi ose titulli: “Shakaja jote e vogël më kushtoi stabilitetin tim emocional”, ndërsa ai shtiret duke qarë. Në të tjera ai jep këshilla se si ta ndihmoni të dashurën tuaj nëse ajo ka ankth ose liston “shenja që shëndeti juaj mendor është në prag të kolapsit”.

Hiriart dhe Moloney performojnë një gjendje emocionale, me shfaqje, muzikë dramatike dhe fraza të shkurtra prej vetëm 10 fjalësh. Ata përshtatin diagnozën psikologjike në formatin TikTok.

Por eksperti Muino shpjegon: “Shpejtësia mund të jetë e dobishme nëse po flisni për një temë të thjeshtë, ka pilula informacioni që mund të jepen në TikTok. Por problemi është se krijuesi i përmbajtjes duhet të vazhdojë të ngarkojë video, të ushqejë llogarinë e tij dhe është e lehtë për të që të tundohet të analizojë gjëra komplekse në 30 sekonda, siç është profili gjestikal i një personi me depresion. TikTok i shpërblen këto video, të cilat grumbullojnë miliona shikime. Mediat sociale nuk janë krijuar për t’i dhënë përparësi përmbajtjes më të saktë, por përmbajtjes që provokon reagimin më të fortë. Dhe depresioni shet”.

 Në këtë mënyrë, temat që prekin thellë njerëzit me një sëmundje të diagnostikuar janë pre e krijuesve të përmbajtjeve që dinë të godasin ‘çelësin e viralitetit’.

“Rrjeteve sociale shpesh u mungojnë filtrat për saktësinë dhe cilësinë e informacionit, kështu që ai mund të thjeshtohet shumë,” thotë Maria Palau, një tjetër psikologe eksperte në menaxhimin e ankthit, e cila paralajmëron: “Kjo mund të çojë në vetë-diagnozë”. Ose në vetë-mjekim të gabuar.”

Vetërregullimi

Pa një kuadër ligjor, janë vetë krijuesit e përmbajtjeve online që duhet të vetërregullohen. Kjo është ajo që përfundoi duke bërë Oscar Alonso. Ky ilustrues 40-vjeçar bask filloi të ndante procesin e tij të humbjes së peshës në internet. Por pak nga pak ai iu drejtua përmbajtjeve më shumë të lidhura me shëndetin mendor. “Unë flas nga përvoja ime,” shpjegon ai duke shtuar: “Në asnjë rrethanë nuk dua të jem terapisti i dikujt. Unë nuk jam mjek, nuk kam ndonjë trajnim në psikologji, por tregoj rastin tim.”

Alonso e di se ilustrimet e tij lidhen me njerëz që kanë kaluar të njëjtën gjë. Ai e di që është një temë e nxehtë dhe se kjo i ndihmon krijimet e tij të bëhen virale. Por në të njëjtën kohë, ai nuk mund të abstragohet nga biseda globale, veçanërisht kur ajo e prek atë drejtpërdrejt. Ai përpiqet të tërheqë një vijë etike për të trajtuar temat që i interesojnë pa u zhgënjyer në kërkim të viralitetit.

“Ky është rreziku,” pranon ai. “Duhet të flasim për këtë, por nuk mund të bëhet biznes. Ne duhet të jemi vigjilentë që në një shoqëri kapitaliste në të cilën shitet pothuajse gjithçka, ky të mos bëhet vetëm një produkt tjetër.”

Të dy ekspertët, Palau dhe Muino pajtohen me këtë ide. Të folurit për shëndetin mendor “i lejon njerëzit të ndihen më pak të vetëm në përvojat e tyre dhe të dinë se trajtimet ekzistojnë”, thekson Palau. “Përhapja e informacionit mund të nxisë ndërgjegjësimin dhe edukimin.”

​Në bisedat e ditëve të sotme ka hyrë shëndeti mendor dhe kjo nuk reflektohet vetëm në rrjetet sociale. Sipas Listen Notes, më shumë se 5500 episode kanë fjalën trauma në titull, tek podcast-et që zhvillohen. Amazon ofron më shumë se 60,000 rezultate kur kërkon libra për shëndetin mendor. Në intervista, aktorë, këngëtarë dhe të famshëm të të gjitha shtresave flasin sesi terapia i ka ndihmuar ata të bëhen njerëz më të mirë.

Filozofi dhe producenti i muzikës Alex Kresovich ka analizuar referencat për shëndetin mendor në muzikën bashkëkohore. Në një studim të vitit 2021, ai vuri në dukje se prania e tij në këngët rap gjatë 20 viteve të fundit është rritur në mënyrë befasuese dhe konstante. Në një tjetër, ai regjistroi një fenomen të ngjashëm në muzikën Pop. Sipas Kresovich, albumi 808s & Heartbreak i Kanye West, i vitit 2008, ishte një pikë kthese. “Është normalizuar shumë,” tha ai së fundmi në një intervistë me New York Times. “Për shëndetin mendor flitet aq shumë publikisht, saqë disa neuroza, si depresioni, janë pothuajse të romantizuara.”

Publiku nuk është i panjohur për këtë modë, e cila ka përfunduar në shoqëri. Ata nuk janë më vetëm ndikuesit. Ata që flasin për të janë përdoruesit. Ne jemi të gjithë. Rrjetet sociale janë një altoparlant që zmadhojnë dhe deformojnë bisedën. Në ditët e sotme është kaq e lehtë për t’i bërë publike ndjenjat private dhe për të gjetur njerëz që i vërtetojnë ato përmes ndërveprimeve. Dhe mund të jetë problematike. Vetëm kështu mund të kuptohen fenomene virale si Elmo, kukulla e famshme, e lidhur me fenomenet dramatike dhe njerëz që flasin për depresion, ankth dhe përpjekje për vetëvrasje.

Në këtë drejtim, psikologu amerikan Scott Lyons paralajmëron në librin e tij ‘Addicted to Drama’ se ekonomia e vëmendjes po prodhon një spirale stresi dhe ndjenjash të shtuara. “Ne e dimë nga hulumtimi se të qenit më dramatik [en redes sociales] merr më shumë vëmendje dhe më shumë pëlqime. Është një përforcim”.

Në këtë mënyrë dhe pa qenë plotësisht i vetëdijshëm, shpjegon ai, ne përfundojmë të jemi pjesë e problemit. “60% e të rinjve që përdorin TikTok përfundojnë duke vetë-diagnostikuar një problem të shëndetit mendor”.

Shumë nga ata që e bëjnë këtë, përfundojnë duke iu bashkuar bisedës on-line, duke ndarë përvojat me njerëz të tjerë që vuajnë nga të njëjtat sëmundje. Pra krijimi i grupeve.

“Është ajo që ne e quajmë bashkim dramatik. Nëse bashkohemi për shkak të një simptomatologjie të përbashkët dhe ushqehemi me njëri-tjetrin, është e vështirë për ne që më vonë të dëshirojmë të heqim dorë, rrjedhimisht edhe nga marrëdhëniet që marrim prej saj,” reflekton ai.

Është ajo që e dallon terapinë reale dhe individuale nga versioni reduksionist, viral dhe gjenerik që përhapet në internet. Të folurit për problemet dhe ankthet personale mund të ketë një efekt shërues. Por kur biseda zhvillohet në rrjetet sociale, ajo përforcohet nga algoritme dhe shtrembërohet nga ekonomia e vëmendjes. Dhe mund të ketë efektin e kundërt. Ndërsa flasim më shumë se kurrë për depresionin dhe ankthin, shkalla e vetëvrasjeve dhe çështjet e shëndetit mendor vazhdojnë të rriten.

Pjesa më e madhe e kësaj bisede publike zhvillohet në internet, gjë që inkurajon njerëzit vulnerabël që të rrethohen me biseda mbi këtë temë, duke hyrë në vrimat e krimbave algoritmikë. Dhe kjo nuk duket se ka ndonjë efekt pozitiv.

*Artikulli i El Pais, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tibo News.