Karta e Studentit, firmoset marrëveshja edhe me Bashkinë e Elbasanit

Ministria e Arsimit ka nënshkruar një marrëveshje së fundmi edhe me  Bashkinë e Elbasanit. Marrëveshja ka të bëjë me Kartën e Studentit, teksa të pranishëm në firmosje ishin ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja.

Kjo marrëveshje, si në Korçë dhe me Tiranën lidhet me ofrimin e më shumë mundësive për studentët e Universitetit të Elbasanit, që ata të kenë tarifa më të reduktuara ose falas nëpër shërbimet publike, private por edhe social-kulturore.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu tha:

“Ajo çfarë një student kërkon, përpos qëllimit primar për të studiuar në një degë të caktuar në Universitet, kërkon të ketë edhe disa lehtësira. Jo gjithmonë jeta universitare është e lehtë, jo të gjitha familjet kanë mundësi që të mbështesin 100% me të gjitha ato që një student kërkon, duke nisur nga shërbimet e rekreacionit, duke vijuar te shërbimet e transportit, duke vazhduar më pas tek ato aktivitete sportive që një i ri duhet t’i ketë për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin e tij. Ndaj, besoj fort që Karta e Studentit është një mundësi, e cila do të mund të garantojë që disa nga këto shërbime të merren falas, disa nga këto shërbime të merren nëpërmjet tarifave tërësisht simbolike. Dhe ajo që do të prodhojë Karta e Studentit më shumë se çdo gjë është ndenja e përkatësisë. Pra një student që vjen edhe nga jashtë bashkisë së Elbasanit, si p.sh. nga Bashkia e Cërrikut apo nga Bashkia e Gramshit etj., duhet ta ndjejë që ai i përket vendit ku studion”