
Kandidati për ambasador i SHBA-ve në Shqipëri flet shqip
‘Nëse konfirmohem në detyrë’ do bashkëpunoj me Shqipërinë.
Kështu u shpreh David J. Kostelancik, i emëruar nga Presidenti Joe Biden për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Ai tha se do të bashkëpunojë me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë.
Kostelancik u shfaq para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, gjatë seancës së konfirmimit në detyrën e re, ku parashtroi përparësitë e tij si ambasador.
Sipas VOA, Kostelancik është diplomat me karrierë 30-vjeçare. Ai ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë.
Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.
Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.
*Tibo News